Drejtuesi i Organizatës Politike që organizoi protestën e sotme gjatë Maratonës së Tiranës, Arlind Qori, ka reaguar i revoltuar ndaj mediave që nuk kanë raportuar se ishte organizata e drejtuar prej tij autore e protestës për mungesën e ujit të pijshëm.
Përmes një mesazhi të publikuar në llogarinë e tij në “Facebook”, Qori u bën thirrje gazetarëve të citojnë Organizatën Politike për gjestin që bëri aq shumë zhurmë, pasi i prishi fjalimin kryebashkiakut Erion Veliaj.
Qori thotë se kur i del kundër Bashës etiketohet si komunist apo vegël e Sorosit e Veliajt, e ndërsa kur proteston kundër këtij të fundit, të njëjtat media as nuk e përmendin fare.
“Kur bëhemi digë që Basha dhe zyrtarët e PD të mos fëlliqin protestat studentore e qytetare, mediat “opozitare” na etiketojnë komunistë, vegla të Sorosit apo Veliajt. Kur demaskojmë Veliajn, mu gjatë fjalimit të tij, të rrethuar nga policë e simpatizantë të tij, të njëjtat media flasin për një grup të paidentifikuar të rinjsh të Tiranës. A thua se aksioni u ndërmor nga futbollistët 17-vjeçarë të KF Tiranës.
Të dashur gazetarë dhe redaktorë! Pavarësisht se nga buron paga tuaj, besoj se ju ka mbetur aq sedër profesionale sa të përmendni faktin bazik: “Banderolën për ujin dhe thirrjet kundër Erion Veliajt gjatë Maratonës së Tiranës i bënë aktivistët e Organizatës Politike.”, shkruan Qori.
Maratona e katërt e Tiranës u shoqërua me një moment të pakëndshëm për kryebashkiakun Veliaj, pasi ndërkohë që ai mbante një fjalim, disa aktivistë të Organizatës Politike brohorisnin “Duam ujë” dhe “Vrapo për ujë”, duke denoncuar mungesën e ujit të pijshëm në kryeqytet.
Në muajt e fundit shumë banorë të zonave të ndryshme të Tiranës janë ankuar se furnizohen me ujë vetëm 30 minuta në ditë. Në veçanti zona e Astirit apo dhe e Yzberishtit që kanë pasur mungesë totale të furnizimit me ujë.
Një pjesë e mirë e banorëve iu drejtuan ujit që shitej në autobote, i cili rezultoi se nuk ishte i pijshëm madje i infektuar, çka bëri që në fillim të shtatorit shumë persona të shtroheshin në spital. Veliaj u detyrua t’i bënte thirrje qytetarëve që të mos e konsumonin më ujin që shitej në autobote.