Presidenti amerikan Trump i ka kërkuar Turqisë të ndalojë pushtimin ushtarak në Siri dhe ka vendosur sanksione të reja ndaj aleatit të NATO-s.
Mike Pence tha se Trump i kishte thënë Presidentit turk Tajip Erdogan në një telefonatë të hënën, që të binte dakord për një armëpushim të menjëhershëm.
Ai gjithashtu tha se së shpejti do të udhëtojë në rajon për të provuar të ndërmjetësojë krizën, shkruan Reuters.
Pence tha që Trump kishte qenë i vendosur me Erdoganin në telefon.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës thjesht nuk do të tolerojnë më tej pushtimin e Turqisë në Siri. Ne po i bëjmë thirrje Turqisë të heqë dorë, t’i japë fund dhunës dhe të dalë në tryezën e bisedimeve”, u tha Pence gazetarëve.
Turqia filloi një operacion ndërkufitar në veri të Sirisë të mërkurën, vetëm disa ditë pasi Erdogan i tha Trumpit në një telefonatë se ai planifikonte të vazhdonte përpara me planet kundër aleatëve kurdë të Amerikës në rajon.