Vendosni fjalën kyçe....

Fëmija shqiptar mes luftës në Siri – Nëna e ndau nga babai dhe e mori me vete për t’iu bashkuar ISIS-it (VIDEO)


Emisioni investigativ italian “Le Iene” ka trajtuar mbrëmjen  e kaluar, historinë prekëse të një familjeje shqiptare të ndarë mes Italisë dhe Sirisë.

Historia e publikuar në median italiane është e tillë: Një fëmijë shqiptar u dërgua nga Italia në Siri nga nëna e tij, kur ajo iu bashkua ISIS.  Ai u nda nga babai dhe dy motrat e tij më të rritura.

Familja shqiptare jetonte në Itali që prej vitit 1995. Hetimet e autoriteteve policore janë duke ndjekur lokalizimin e telefonit celular të Valbona Berishës dhe po tentojnë të zbardhin rrugëtimin e saj deri në Siri.

Alvin u gjet i gjallë  në një kamp në Siri dhe babai i tij arriti ta takonte falë përpjekjeve të stafit të emisionit.

Prej 5 vitesh, babai Afrim Berisha  nuk reshti duke kërkuar të djalin e tij, prej të cilit ka marrë vetëm një letër në të cilën djali i shkruante se e kishte marrë malli dhe donte  të kthehej  pranë babait.

Gazetarët e emisionit investigativ italian kanë mundësuar pak ditë më parë udhëtimin e babait shqiptar në kampin “Al-Hol” të Sirisë,  aty ku mbahen të burgosur rreth 70 mijë persona, 90% e të cilëve janë gra e fëmijë.

 “Pse erdhëm këtu? Kishim një mision, të gjenim Alvin, fëmija i lindur në Itali 11 vite më parë dhe u mor nga nëna e tij një ditë të bukur iu bashkua ISIS. Që nga ajo ditë, babai i tij Berisha nuk ka mundur dot ta takojë dhe e sheh vetëm në foto në albumin që mban në duar dhe me lot në sy.Familja shqiptare me çiftin dhe 3 fëmijë jetonin në Itali një jetë normale por diçka ndodhi me gruan. Me siguri njohu dikë që e bindi dhe iku nga aeroporti i Bergamos me djalin e saj Alvin që ishte 6 vjeç. Një dite ai mori një letër që thuhej se ishte nga i biri ku i thoshte se i mungonte dhe madje i kërkonte qe ta kthente serish në shtëpi”-thekson gazetari italian.

Alvin dukej shumë i lumtur për ritakimin me babanë. Ai kishte përjetuar shumë peripeci duke jetuar në një ambient lufte, që i kishte lënë pasoja në trup. Këmba e tij kishte mbetur e deformuar pas një shpërthimi, por Alvin tha se nuk ishte asgjë.

Nëse mendoni se tani historia do bëhet më e bukur e keni gabim. Kjo sepse vogëlushi Alvin, edhe pse ka lindur në Itali, nuk mund të ndërhyhet nga autoritetet italiane për t’u dërguar pranë babait të tij. Ai ka nënshtetësi shqiptare dhe pa një përfaqësues diplomatik nga Tirana zyrtare ai nuk mund të lërë kampin.

Babai i dëshpëruar u detyrua të lërë edhe njëherë tjetër djalin e tij në kamp, në pamundësi për ta marrë me vete. Mirëpo ky kamp prej disa ditësh ka qenë objekt i sulmeve nga ana e Turqisë, e cila ka nisur ofensivën ushtarake në verilindje të Sirisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *