Tenton të arratiset nga burgu i sigurisë së lartë në Peqin Gëzim Toma. Ky person akuzohet për vrasje, vjedhje me dhunë dhe arratisje nga burgu i Drenovës pak vite më parë.
Tentativa e tij për t’u larguar nga burgu i Peqinit është pikasur nga punonjësit e sigurisë, të cilët kanë parandaluar në kohë arratisjen.
Gëzim Toma është dënuar për vrasjen e Fatos Daxhës, 25 vjeç, në Krastë të Martaneshit.
Sipas të dhënave, Toma kishte akuzuar fqinjin e tij, Daxha, se i kishte vjedhur drutë e zjarrit që ai kishte sistemuar në oborrin e pallatit. 25-vjeçari Daxha nuk e ka pranuar akuzën dhe i është lutur disa herë fqinjit ta linte të qetë në hallin e tij. Mirëpo Toma akuzohet se është ngjitur lart të marrë një thikë dhe është kthyer duke e goditur të riun disa herë në trup.
Toma ishte mes 7 personave, të cilët më 29 nëntor të vitit 2013 u arratisën nga Burgu i Sigurisë së Lartë të Drenovës, për t’u larguar më pas drejt Greqisë, nga ku u ekstradua në fillim të këtij viti.