Qeveria meksikane u përpoq të mbrohet për lirimin e djalit të udhëheqësit të kartelit të Sinaloas, El Chapo, pasi persona të armatosur e kthyen qytetin e Culiacan në zonë lufte.
“Strategjia e qeverive të mëparshme e shndërroi këtë vend në një varrezë, dhe ne nuk duam më”, tha Presidenti Andres Manuel Lopez Obrador para gazetarëve të premten, duke mbrojtur vendimin e tij për lirimin e Ovidio Guzman.
“Kapja e një krimineli nuk mund të vlejë më shumë sesa jeta e njerëzve … Ne nuk duam njerëz të vdekur, ne nuk duam luftë.”, vijoi ai.
Autoritetet u përballën me situatë lufte pasi rojet kombëtare dhe trupat e ushtrisë bastisën shtëpinë ku qëndronte Guzman dhe tre bashkëpunëtorë të tij., shkruan RT.
Të paktën tetë njerëz u vranë dhe 21 të tjerë u plagosën kur qindra persona të armatosur morën peng qytetin, duke bllokuar rrugët e djegur automjetet përreth shtëpisë ku rreth 35 forca ushtarake dhe policore mbanin Guzman.
Rreth 56 të burgosur në burgun e Aguarutos që ndodhej aty pranë u arratisën gjatë kaosit, duke marrë rojet peng. Deri të premten, 49 prej tyre ishin ende në gjendje të lirë.
Videot e shumta tregojnë burra të armatosur rëndë duke hipur nëpër automjete, disa me mitraloz, duke terrorizuar qytetin ndërsa civilët nxitonin të gjenin strehim. Beteja mes kartelit dhe qeverisë vazhdoi për orë të tëra.
Persona të kartelit u dërguan video kërcënuese komandantëve ushtarakë të zonës, në njërën prej tëe cilave tregoheshin ushtarë të mbajtur peng dhe një tjetër që ekzekutohej me armë në kokë.
Me nëntë prej ushtarëve të mbajtur peng nga forcat e kartelit, Ministri i Sigurimit Alfonso Durazo mori vendimin të tërhiqej dhe të lironte Guzman.
Ndërkohë, avokati i familjes Guzman tha se ata do të mbulonin shpenzimet mjekësore për të plagosurit dhe shpenzimet e funeralit për të vdekurit.
“Familja i kërkon falje popullit të Sinaloas dhe veçanërisht popullit të Culiacan,” tha José Luis González Meza gjatë një konference për shtyp.
“Mesazhi i familjes dhe i nënës së ‘El Chapos’, María Consuelo dhe nënës së Ovidio, Griselda López, është një falënderim për Presidentin e Republikës, López Obrador … Ne kemi një njeri, të krishterë president, i cili më në fund nuk mori vendim për të dëmtuar Ovidio.”, tha një tjetër avokat i familjes, Juan Pablo Badillo.
Të premten qyteti vijonte të ishte i mbyllur, më shkollat të mbyllura, transportin publik të pezulluar dhe me bizneset që u kërkonin punonjësve të qëndronin në shtëpi.