Kreu i Vetëvendosjes ka deklaruar se brenda një muaji do arrihet marrëveshja e bashkëqeverisjes me LDK-në, një qeveri ku të paktën 30% e anëtarëve do jenë gra.
Në një intervistë për “The Guardian” ai tha se prioritetet e qeverisë së tij do jenë punësimi e drejtësia dhe se do i japë fund kapjes së shtetit.
“Janë gati 200 prokurorë, por disa prej tyre nuk kanë njohuri e disa nuk kanë guxim, por disa të tjerë s’i kanë asnjërën. Ata duhet të çlirohen nga shteti.” – tha Kurti.
I përballur me borxhin në rritje dhe emigracionin, Kurti thotë se ai është i përkushtuar që t’i japë fund kësaj problematike.
“Ne duhet ta bëjmë vendin tonë të jetueshëm dhe të bindim më shumë njerëz që të qëndrojnë në vendin tonë.” – shtoi ai, transmeton Koha.net
Lidhur me marrëveshjen me Serbinë, Kurti tha se taksa 100% ndaj mallrave serbe do hiqet vetëm nëse imponohen masat e plota reciproke për të liruar tregtinë e Kosovë në Serbi. Ai tha se Beogradi duhet po ashtu t’i japë fund fushatës diplomatike ndërkombëtare për t’i bindur shtetet të çnjohin Kosovën.
“Nëse dëshirojnë të nisin dialogun, duhet të ndalojnë menjëherë shpifjet ndaj të drejtës sonë për shtetësi”, tha ai.