Një telefonatë ka mjaftuar dhe një 47-vjeçar nga Fushë-Kruja është arrestuar nga policia.
Sipas uniformave blu, 47-vjeçari me inicialet A.S, nga fshati Dërven ka qëlluar me armë zjarri në ajër, duke krijuar panik te banorët.
Pas telefonatës, policia e ka arrestuar A. S.-në si dhe ka sekuestruar armën e zjarrit tip kallashnikov.
“Qëlloi në ajër me armë zjarri, banorët lajmëruan Policinë në 112. Falë reagimit në kohë, Policia vuri në pranga 47-vjeçarin. Sekuestrohet arma e zjarrit tip automatik. Në numrin 112 të Komisariatit të Policisë Krujë kanë ardhur telefonata nga banorët e fshatit Derven se një shtetas po qëllonte me armë zjarri në ajër.
Menjëherë shërbimet e Policisë Krujë janë nisur në drejtim të adresës së dhënë, ku shtetasi që qëllonte me armë zjarri në ajër u largua sapo pa forcat e Policisë. Pas krehjes së zonës dhe bashkëpunimit me banorët, Policia lokalizoi, kapi dhe arrestoi në flagrancë shtetasin: A. S., 47 vjeç, banues në fshatin Derven, Krujë.
Gjithashtu Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov dhe disa fishekë luftarakë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Armëmbajtja pa leje”.”, thuhet në njoftimin e policisë.