Deputeti shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, ka konfirmuar se Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ishte i vendosur të jepte dorëheqjen pas përgjigjes negative nga Këshilli i Europës për hapjen e negociatave.
Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Grubi tha se ishte Ali Ahmeti ai i cili nuk e lejoi Zaevin të jepte menjëherë dorëheqjen por të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.
BISEDA NË STUDIO:
Artan Grubi: Ishte gati të jepte dorëheqjen për arsye të zhgënjimit të madh. Sepse kishte pranuar premtime të jashtëzakonshme. Merkel vizitoi Maqedoninë.
Blendi Fevziu: Pse në Maqedoni ka dhe dorëheqje si koncept? Pra Zaevi ishte i bindur për t’u larguar?
Artan Grubi: Po!
Blendi Fevziu: Po pse ktheu mendim?
Artan Grubi: Ne nuk u pajtuam dhe z.Ahmeti i tha që s’kemi pse pranjmë faj të cilin nuk e kemi mbi vete, për arsye se faji është mbi Bashkimin Europian që dështoi në premtimet e veta, ne i kishim plotësuar të gjitha kushtet. Dhe vendosëm që bashkarisht të shkojmë në zgjedhje vetëm pasi të anëtarësohemi në NATO.
Kishim reforma shumë të dhimbshme për të marrë një JO për një çështje kaq të vogël për hapje të negociatave që i mundësonte Bashkimit Europian të na kontrollonte edhe më tepër se sa ka mundësi tani. Shqiptarët janë elementi vendimtar i qeverisjes së Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët janë elementi kyc që e mban Maqedoninë me velat e drejtuara nga Brukseli.
Pasi Maqedonia e Veriut mori përgjigjen “JO” për hapjen e negociatave, kryeminiztri Zoran Zaev vendosi që të mbahen zgjedhje të parakohshme më 12 Prill 2020, pasi vendi të jetë anëtarësuar në NATO.