Mediat britanike kanë zbuluar se 39 personat e gjetur të vdekur në një kamion në Essex në Britani, i përkasin kombësisë kineze.
Sipas “BBC”-së, policia po vazhdon të marrë në pyetje shoferin e kamionit Mo Robinson, 25 vjeç, i cili u arrestua nën dyshimin për vrasje.
Oficerët e Policisë në Irlandën Veriore ku jeton Robinson, kanë bastisur dy shtëpi ndërsa Agjencia Kombëtare e Krimit thotë se po punon për të identifikuar “grupet e krimit të organizuar që mund të kenë luajtur një rol” në kontrabandimin e migrantëve në Britani.
Ndërkohë që policia po u kontrollon banesat, prindërit e 25-vjeçarit të arrestuar kanë fluturuar në Angli nga Irlanda e Veriut për të mbështetur djalin e tyre.
Sipas fqinjëve, është “e pamundur” që Robinson të ketë qenë në dijeni të planit për të kontrabanduar migrantët në Britani të Madhe.
Babai i 25-vjeçarit është menaxheri i Laurelvale FC, një klub vendas amator në Ligën e Futbollit Mid-Ulster.
Besohet se Robinson e mori rimorkion vetëm dy orë para se migrantët të gjendeshin të vdekur.
Temperaturat në kontenierin frigoriferik arrinin deri në -25C. Kamioni kishte hyrë në Angli përmes një trageti mallrash nga Zeebrugge, Belgjikë.
Autoritetet ende nuk e dinë se në cilin moment migrantët hynë në kontenierin frigoriferik.