Vendosni fjalën kyçe....

Agim Kajmaku i çon letër Arta Markut, i kërkon kohë: Greqia më shpalli të pafajshëm


Kreu i Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku, i është drejtuar me një letër Kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, duke i kërkuar kohë deri në marrjen e përgjigjes nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Janinë, lidhur me rrethanat e marrjes së ndonjë mase sigurimi apo të një urdhërndalimi ndërkombëtar.

Lëvizja e Kajmakut vjen pas letrës që Prokuroria e Tiranës i dërgoi sot PD-së, duke pohuar faktin që Agim Kajmaku është Jorgo Toto, i cili ka pasur një proces të hapur gjyqësor në Greqi.

Agim Kajmaku thekson se është interesuar pranë drejtësisë greke ku ka marrë vërtetimin se është i pafajshëm për veprën penale të qarkullimit të monedhave të falsifikuara.

‘Si subjekt i interesuar menjëherë jam paraqitur pranë autoriteteve përkatëse greke dhe kam kërkuar informacion lidhur me pretendimet e mësipërme. Nga informacionet e marra ka rezultuar se në ngarkimin tim ekzistonte një çështje penale e pezulluar nga autoritetet përkatëse të distriktit të Artës, Greqi, lidhur me një ngjarje të datës 13 janar 2003, për të cilën unë nuk kam pasur dijeni më parë’, thekson ai.

Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Bardhi, në një deklaratë për mediat pohoi faktin se Agim Kajmaku ishte Jorgo Toto.

‘Sot denoncimi i Partisë Demokratike është provuar zyrtarisht nga Prokuroria e cila me shkresën e datës 28 tetor 2019 ka provuar si tërësisht të vërtetë denoncimin e kryer nga Partia Demokratike.

Në vendimin e Prokurorisë i mbërritur vetëm pak minuta më parë zyrtarisht në Partinë Demokratike, rezulton se zyra Qendrore e Kombëtare e INTERPOL Tiranës, me shkresën Nr. 10709/6, datë 24/09/2019; ka sqaruar se nga informacioni i marrë nga zyra homologe INTERPOL Athinë rezulton se nga krahasimi i gjurmëve të gishtërinjve të shtetasit Agim Kajmaku, me gjurmët e gishtërinjve që ndodhen në databazen e të dhënave kriminale në Greqi ka përputhshmëri të plotë me ato të shtetasit Jorgo Toto.’ – tha Bardhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *