Mediat në Maqedoni shkruajnë se është kërcënuar me jetë nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta. Politikani shqiptar ka bërë denoncimin në polici, ku ka akuzuar një person se e ka kërcënuar përmes telefonit.
Ngjarja ka ndodhur në periudhën kur në degën e BDI-së në Gostivar ishte aktuale tema e zgjedhjes së kryetarit të ri.
Denoncimi në polici është bërë nga vetë ish-kryetari i Komunës së Gostivarit, sipas të cilit, intimidimi është bërë përmes telefonit. “In7” shkruan se personi që ka kërcënuar ish-kryetarin e Komunës së Gostivarit, është I. Jakupi, që është në lidhje familjare me Nexhati Jakupin, ish–ministër dhe njëri nga kandidatët për kryetar dege në Gostivar.
Garën në Kuvendin e BDI-së në Gostivar e fitoi me shumicë votash, Bashkim Hasani, ndërsa deri vonë flitej se edhe Bejta mund të jetë kandidat.
“Në Stacionin e Policisë në Gostivar, N.B ka denoncuar se ka marrë kërcënime përmes telefonit nga I.J. Po punohet për zbardhjen e rastit”, deklarojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.