Policia ka arrestuar Bardhok Planajn, banues në Shkodër, i cili ishte nën masën arrest në shtëpi ndërsa është kapur në Lushnjë pasi ka thyer masën e sigurisë.
Ai është ndaluar nga policia e Lushnjës në bashkëpunim me atë të Shkodrës.
Planajt iu sekuestruan rreth një vit më parë prona me vlerë 2 milionë euro të cilat dyshohet se i kishte vënë me aktivitet kriminal.
Njoftimi i policisë
‘Më datë 03.12.2018 nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër është lëshuar urdhër-ekzekutimi në bazë të vendimit penal nr.1168, datë 29.11.2018, në të cilin është vendosur masa e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Bardhok Planaj për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Falsifikimi i vulave dhe stampave” dhe “Ndërtim i paligjshëm”.
Është bërë sekuestro preventive e një pallati 10 katësh me vlerën 2 milion euro.
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër ushtroi kontroll në banesën e shtetasit Bardhok Planaj, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtepi”, por nuk u gjet në banesë.
Policia e Shkodrës e shpalli në kërkim dhe pas informacioneve të marra, në bashkëpunim me Policinë e Lushnjës bëri kapjen dhe arrestimin në qytetin e Lushnjës të shtetasit Bardhok Planaj, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit’.