Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet Eduard Xhezo, i dyshuari për vrasjen e biznesmenit në Vlorë


Arrestohet pas disa muajve në kërkim, Eduard Xhezo, i dyshuari për vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj në gusht të këtij viti.

Xhezo u vu nën arrest nga policia e Durrësit, ndërkohë që ndodhej nën efektin e lëndëve narkotike dhe mbante një identitet fals.

Arben Beqiraj, 40 vjeç, ishte duke pirë kafe së bashku me djalin dhe nipin e tij më 4 gusht, kur ndaj tij është qëlluar me armë. 40-vjeçari është goditur me plumb në kraharor ndërsa djali i tij 18 vjeçar Erges Beqiraj si dhe nipi Nesim Hodaj janë plagosur në këmbë.

Para të shtënave, pronari i lokalit Arben Beqiraj dhe personat e tjerë patën një konflikt për një kalë që u mendua se u mbyll, por mesa duket nuk kishte ndodhur kështu. Autorët janë kthyer të armatosur.

 34-vjeçari i dyshuar, Eduard Xhezo, rreth 10 vite më parë, është dënuar me 9 vjet e 4 muaj burg për “Vrasje me dashje të dy a më shumë personave”, të mbetur në tentativë, si dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Detajet e policisë: 

Policia e Durrësit në bashkëpunim me Policinë e Tiranës vë në pranga një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit.

Pas një ndjekjeje disaditore nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Tiranë, e Durrës u bë i mundur identifikimi i vendndodhjes dhe kapja e 34-vjeçarit, i kërkuar për vrasje.

Qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara, nën efektin e lëndëve narkotike, me kartë identiteti të falsifikuar dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar në dy pika kontrolli, por prangoset pas ndjekjes dhe bllokimit të rrugës në Shkozet, Durrës, 34-vjeçari nga Vlora, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municioneve”.

Seksioni i Narkotikëve në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë pas informacioneve të marra për vendndodhjen e personit në kërkim organizoi punën për kapjen e tij, i cili sapo ka parë Policinë ka lëvizur me shpejtësi të madhe në Drejtim të Durrësit.

Menjëherë është njoftuar Policia e Durrësit dhe në hyrje të Durrësit, Policia ngriti një pikë kontrolli me qëllim bllokimin e automjetit, por edhe në këtë pikë kontrolli drejtuesi i mejtit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë dhe është larguar me shpejtësi.

Forca e Posaçme Shqiponja e DVP Durrës dhe ato të Qarkullimit Rrugor i janë vënë në ndjekje dhe në vendin e quajtur “Mbikalimi i këmbësorëve” te unaza e Shkozetit, u bë bllokimi i mjetit së bashku me personat, të cilët u shoqëruan në Polici.

Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën një sasi e vogël lënde narkotike cannabis dhe dy karta identiteti me iniciale A. S., dhe S. J.. Pas verifikimit të bërë karta e identitetit me emër A. S. rezultoi e falsifikuar, pasi fotografia në kartë i përkiste shtetasit në kërkim Eduart Xhezo, 34 vjeç, banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Shkallës Parë Vlorë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municioneve”, pasi më datën 04.08.2019, rreth orës 19.30, në lagjen “1 Maj”, Vlorë janë goditur me armë shtetasit A. B., E. B. dhe N. H. dhe ky shtetas dyshohet si një nga autorët e kësaj ngjarjeje.

Shtetasi Eduart Xhezo është person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje, i dënuar më parë për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *