Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka zhvilluar sot një interpelancë me qytetarët, për të diskutuar mbi gabimet e shërbimit të Gjendjes Civile.
Por Lleshajn dhe qytetarët nuk është se i ndanin dhe aq shumë kilometra, saqë të ishte i domosdoshëm përdorimi i teknologjisë që të dy palët të komunikonin përmes ekranit.
Tirana është e madhe në krahasim me shumë qytete të tjera të vendit, por jo aq e madhe saqë komunikimi nga afër të jetë i pamundur.
Duket se qeveria nuk po humbet asnjë rast për të krijuar shfaqje të panevojshme, duke tërhequr vëmendje. Sigurisht problemet e qytetarëve me dokumentet në gjendjet civile në vend s’kanë fund dhe kjo situatë duhej të kishte ndryshuar tashmë pas rreth 30 viteve tranzicion, por a ishte vërtet i nevojshëm organizimi i një interpelance online?
Kryeministri Edi Rama vetë, sëbashku me ish-ministrin Damian Gjiknuri, kanë realizuar disa herë interpelanca të tilla, qoftë me qytetarët e Kukësit kur u vendos taksa për rrugën e Kombit, apo me minatorët e Ballshit e Fierit.
Qeveria duket se “i dashuron” këto lloj praktikash por nëse më parë kishim disa kilometra distancë më shumë, sa për ta justifikuar deri diku interpelancën online në këtë rast kjo bie. Imagjinoni sikur babai të thirrë me kamera djalin që ndodhet në dhomën ngjitur dhe të diskutojë për të zgjidhur një problem. Kjo situatë nuk ka aq shumë ndryshim nga kjo. Një qytetare nga njësia Nr.5 në Tiranë, i ankohej ministrit se mbiemri i saj paramartesor ishte gabim, njësi e cila nuk ndodhet më shumë se 1 kilometër larg nga ministria. /Hashtag.al