Kryeministri italian, Conte dhe ai shqiptar, Rama, kanë dhënë një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit të përbashkët në Romë.
Në fjalën e tij, Rama, tha se kishte marrë mbështetjen e plotë të Italisë për integrimin e vendit në BE.
Ai theksoi se shumica e vendeve ishin pro hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut por fatkeqësisht kjo nuk u arrit edhe pse dy vendet e meritonin.
‘Nuk kemi rrugë tjetër veç integrimit në BE dhe jemi besimplotë sepse kemi miq të fortë dhe partnerë të palëkundur si Italia dhe kështu do ecim në këtë rrugë siç kemi bërë deri tani. Do vijojmë t’i çojmë më para reformat që duhen me mbështetjen e parlamentit të Shqipërisë. Po përgatisim një paketë të re kundër krimit dhe korrupsionit dhe për këtë kam marrë mbështetjen e kryeministrit italian.’ – tha Rama.
Më tej kryeministri shqiptar ftoi bizneset italiane që të vijnë të investojnë në Shqipëri, duke rritur bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
‘Në fund kemi biseduar për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes Italisë e Shqipërisë. Italia mbetet ndëe faktorët kryesorë të huaj në tregun shqiptar. Ndërmarrjet italiane janë të mirëpritura. Kompanitë italiane të vijnë dhe të përfshihen në këto investime dhe e vlerësojmë shumë atë që ka të bëjë me atë të njohjes dhe eksperiencës së ndërmarrjeve italiane.’ – mbylli Rama.