Arrestohet një 29 vjeçar nga Vlora, i cili sipas policisë paraqet rrezikshmëri shoqërore. 29-vjeçari Taulant Manaj ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit në Vlorë, kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Kjo sepse ai akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.
Taulant Manaj, i cili njihet edhe me emrin Taulant Beqiraj, ishte përfshirë në shkurt të 2018-ës në një konflikt me armë mes dy bandave në Vlorë, por ishte lënë i lirë nga gjykata, duke caktuar masën “arrest shtëpie”.
Në qershor të 2018-ës, ai kishte thyer masën e arrestit në shtëpi, ndaj dhe u arrestua nga policia, teksa qarkullonte në Vlorë me armë zjarri pa leje. Edhe pse u arrestua për herë të dytë, ai u la sërish në “arrest shtëpie”.
Në shtator të vitit 2018, Gjykata e Vlorës vendosi ta rikthejë në burg por Taulant Manaj arriti t’ë arratisej derisa u arrestua në lagjen “Ali Demi”.
Detajet e policisë
Finalizohet operacioni policor “Befasia”, për kapjen e një personi me rrezikshmëri shoqërore.
Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr.1.
Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policsië Nr.1 në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një person në kërkim nga Vlora fshihej në një pallat në lagjen “Ali Demi” dhe falë një pune të mirëorganizuar në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme të këtij Komisariati, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Befasia”.
Si rezultat i operacionit në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u bë e mundur kapja e personit në kërkim:
– T. M., 29 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Vlorë më datë 18.09.2018 ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit penal të Gjylkatës së Apelit Vlorë, e cila ka vendosur masën e sigurisë nga “Arrest në shtëpi” në atë me “Arrest me burg” për veprat penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.
U njoftur Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë për ndjekjen e mëtejshme të procedurave.