Moti i paqëndrueshëm ka sjellë probleme në disa zona zona në vend, diku përmbytje, diku pezullim të lundrimit e madje është shembur edhe një urë në Delvinë.
Vlorë
Mbrëmjen e kaluar, për shkak të detit të trazuar, është pezulluar lundrimi i tragetit Vlorë-Brindisi-Vlorë.
Për shkak se dallgët shkonin deri në 7 ballë në det të hapur dhe 5-6 ballë në gji u pezullua lundrimi dhe e njëjta situatë vijon edhe sot. I pezulluar mbetet edhe lundrimi për peshkarexhat.
Delvinë
Ndërkohë në Delvinë, për shkak të motit të keq është shembur gjatë natës njëra këmbë e urës të fshatit Vanë.
Aktualisht ura është e pakalueshme, duke izoluar rreth 200 banorë të fshatit.
Emergjencat ndodhet në zonë për të parë situatën dhe marrë masa për riparimin e urës.
Kjo situatë nuk është e re për banorës, pasi këmbët e Urës së Vanës prej vitesh shemben sa herë ka reshje shiu me intensitet të lartë.
Durrës
Ndërkohë në Durrës shirat e mbrëmjes së kaluar kanë sjellëpërmbytje në disa zona të qytetit. Si pasojë e nivelit të lartë të ujit, disa rrugë janë të pakalueshme, mes të cilave kryqëzimi tek ‘Stadiumi’, rrethrrotullimi tek ‘Stacioni trenit’ dhe rruga ‘Taulantia’.
Situatë problematike paraqitet edhe në zonën e Shkozetit dhe atë të Spitallës.
Për shkak të kësaj situate, ka patur vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve.
Njëlloj si në Vlorë, edhe në Durrës është pezulluar lundrimi për peshkarexhat.