Ambasada Amerikane, nuk e ka pritur mirë vendimin e kryeministrit Edi Rama për të bashkëpunuar me operatorët kinezë për rrjetin e teknologjisë 5G në Shqipëri.
Pak ditë më parë kryeministri promovoi teknologjinë 5G të një kompanie kineze në Tiranë, edhe pse përflitet se më parë këtë ua kishte premtuar amerikanëve.
Rrjeti 5G do të mbërrijë së shpejti në Shqipëri përmes teknologjisë shtetërore kineze 5G Huawei, të cilën SHBA e ka sulmuar vazhdimisht muajt e fundit për shkak të luftës tregtare me Kinën.
Për herë të parë në një kundërshtim publik ndaj vendimeve të qeverisë Rama, Ambasada Amerikane ka ngritur dyshime mbi sigurinë dhe besimin që ka kompania kineze.
“Rrjeti 5G do të shtrihet shumë shpejt kudo por a keni besim në kompanitë që po ndërtojnë rrjetet 5G? Si mund ta dini se ato nuk do të keqpërdorin të dhënat tuaja?” shkruhet në një postim në faqen zyrtare në “Facebook”.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë, me ardhjen e kësaj teknologjie të re për operatorët, përmes një linku jep disa këshilla për qytetarët shqiptarë për mënyrën se si këta të fundit duhet të mbrojnë të dhënat e tyre personale të cilat janë në rrezik pasi rrjeti 5G të vijë në Shqipëri.
Nuk dihet nëse futja e teknologjisë 5 G do ndikojë në marrëdhëniet e kryeministrit me këtë ambasadë, por edhe pse nuk përmendet kryeministri ky është postimi i parë kundër një veprimi të qeverisë.
Në një kohë kur Ambasada Amerikane e ka mbështetur qeverinë Rama, pavarësisht problemit të kanabizimit të vendit, asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, koncesioneve me PPP, organizimit të zgjedhjeve me vetëm një kandidat e një sërë çështjesh të tjera, në momentin e parë që iu cënua interesi reagon publikisht kundër vendimit të tij për të bashkëpunuar me kompaninë rivale të amerikanëve, ndaj të cilës presidenti Donald Trump ka vënë një sërë sanksionesh.
Që kur lufta tregtare mes Washingtonit dhe Pekinit u përshkallëzua në muajin maj, administrata e Trump e listoi Huawei-n në listën e zezë, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare.