Presidenti Meta ka pritur sot Ambasadorin e ri të Kosovës në Tiranë, Nait Hasanin.
Meta e uroi atë për detyrën e re ndërsa i shprehu mbështetjen në misionin e tij.
Presidenti vlerësoi zgjedhjet e parakohshme në Kosovës duke thënë se ato ishin tregues i maturisë politike, demokratike e institucionale të Kosovës.
‘Presidenti i Republikës Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Pasi e uroi për marrjen e detyrës, Presidenti Meta e siguroi Ambasadorin Hasani për mbështetjen e plotë në kryerjen me sukses të misionit të tij në Tiranë.
Kreu i Shtetit vlerësoi procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, si tregues i maturisë politike, demokratike e institucionale të Kosovës.
Presidenti u shpreh se marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe vlerësoi se bashkëpunimi midis dy vendeve është stabilizues për rajonin dhe motivues për perspektivën euroatlantike.’ – thuhet në njoftimin e Presidencës.