Vendosni fjalën kyçe....

Greta Thunberg ngelet pa anije, s’ka me çfarë shkon në Spanjë


Aktivistja suedeze Greta Thunberg ka kërkuar ndihmë për të udhëtuar në mënyrë miqësore me mjedisin nga SHBA-ja në Spanjë për një konferencë klimatike, por deri më tani ajo duket se nuk ka mundur të gjejë një udhëtim që i plotëson standardet e saj jorealiste.

“Që nga e premtja pasdite kam udhëtuar në lindje përmes shteteve të bukura jugore në SHBA për të arritur në bregdetin lindor dhe shpresoj të gjej transport për në COP25 në Madrid”– postoi ajo në “Twitter” të hënën, disa ditë pasi kishte kërkuar ndihmë për transportin.

Aktivistja adoleshente Greta Thunberg që nga momenti që i është futur vorbullës së samiteve dhe protestave në të gjithë botën për klimën, ka fituar përkrahës por edhe shumë kundërshtarë gjatë rrugës.

Ndërsa merrte pjesë në këto samite, mes të cilëve ai ku kritikoi liderët e Kombeve të Bashkuara, ajo ka zgjedhur të udhëtojë me anije, tren, ose makinë elektrike.

Thunberg u nis drejt jugut, për të marrë pjesë në samitin e klimës COP25 në Santiago, por javën e kaluar mbledhja u zhvendos në Spanjë për shkak të protestave kundër qeverisë në Kili. Dhe Atlantikun vështirë se mund ta kalojë me tren, përveçse nëse dikush arrin t’i sigurojë një anije.

Thunberg nuk mund të shkelë rregullat e saj dhe të fluturojë me avion. Kështu që, 16-vjeçarja kërkoi ndihmë në rrjetet sociale për t’i mundësuar një udhëtim për në Spanjë, pa çliruar karbon.

Qeveria e Spanjës ka premtuar të ndihmojë Thunberg, por nuk ka plane konkrete për këtë, shkruan RT.

Kujtojmë se Thunberg ka bërë thirrje për heqjen e plotë të karburanteve fosile, dhe një ulje të emetimeve të karbonit në zero në dhjetë vitet e ardhshme. Arritja e kësaj do të kërkonte një ndalim të plotë të udhëtimit ajror dhe një ndalim ndaj transportit komercial.

Thunberg herën e parë e kaloi Atlantikun me anije falë zemërgjerësisë së një ekipi garash me jahte në Monako, por anija që kushton mbi 4 milion euro është e zënë me një kompeticion, dhe nuk ka asnjë tjetër në dispozicion si ajo.

Edhe vetë operatorëve të jahteve u është dashur të fluturonin me avion, kur Thunberg mbërriti me anijen e tyre në Manhattan.

Megjithëse ligjvënësit e ndërgjegjshëm për mjedisin si Alexandria Ocasio-Cortez, kanë propozuar trenat me shpejtësi të lartë si një alternativë për udhëtimet ajrore, askush ende nuk e ka zgjidhur problemin e kalimit të Atlantikut, përveç nëse dikush ka kohë, para dhe aftësi fizike për të udhëtuar në një varkë me vela.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *