Vendosni fjalën kyçe....

“Dhuna e policisë ndaj protestuesve shqetësuese, projekti i Unazës së Re duhet të ishte i ngrirë” – Avokati i Popullit


Avokati i Popullit ka publikuar raportin e plotë pas ngjarjeve të djeshme në zonën e Astirit.

Raporti vëren se dhuna e ushtruar nga forcat e policisë mund të ishte shmangur, për më tepër në një kohë kur projekti duhet të ishte në fazë ngrirjeje deri në verifikimin e dyshimeve për parregullsi ligjore në procedurat e tij.

Më tej raporti thekson si përfundim se gazi lotsjellës i përdorur nga policia si mjet i parë ndaj protestuesve paqësorë është i gabuar për më tepër kur nuk ka një protokoll për përdorimin e tij ndaj grumbujve të njerëzve mes të cilëve ka edhe fëmijë, gra e të moshuar.

Raporti vëren se forcat e rendit kanë ushtruar dhunë gjatë shoqërimeve dhe kjo po hetohet në mënyrë administrative.

Përfundimet e raportit të Avokatit të Popullit

Si konkluzion Institucioni i Avokatit të Popullit është i mendimit se situata e tensionuar e datës 12.11.2019 mund të shmangej me një qasje më pajtuese, konsensuale dhe mirëkuptuese nga ana e autoriteteve shtetërore kundrejt komunitetit të qytetarëve që ndjehen të cënuar nga projekti i zgjerimit të Unazës së re.

Sidomos e domosdoshme ka qenë kjo qasje dhe më e panevojshme është bërë forca represive, në kushtet kur ky projekt duhet të ishte në fazë ngrirjeje, deri në verifikimin e plotë të dyshimeve të lindura për parregullsi ligjore në procedurat e tij.

Avokati i Popullit shpreh shqetësimin për përdorimin e vazhdueshëm të gazit lotsjellës si mjet i parë nga ana e forcave të policisë për të sulmuar grupe qytetarësh që protestojnë paqësisht, madje mbetet i paqartë protokolli i përdorimit të këtyre lëndëve, sidomos ndaj grumbullimeve të njerëzve ku të pranishëm janë edhe fëmijë, gra e të moshuar.

Avokati i Popullit pret të marrë sqarime dhe një arsyetim shterues nga ana e Policisë së Shtetit në lidhje me këto procedura, si rezultat i të cilave disa qytetarëve u janë shkaktuar dëmtime, siç konfirmohet edhe nga autoritetet spitalore.

Dhuna gjatë shoqërimeve e referuar nga disa shtetas dhe jo vetëm në këtë rast, vazhdon të mbetet një problematikë shqetësuese, për të cilën Avokati i Popullit po vazhdon hetimin administrativ.

Avokati i Popullit gjithashtu shpreh shqetësimin për pengimin që u bëhet anëtarëve të ekipeve të tij, për të kryer detyrën, si gjatë konstatimit të veprimeve në terren, ashtu edhe më pas, gjatë përpjekjeve për akses në institucione të ndryshme, gjë që është konstatuar edhe ditën e sotme.

Në mënyrë të papranueshme, punonjës të stafit të Avokatit të Popullit janë penguar nga ana e autoriteteve të Rendit që të hyjnë në perimetrin e zonës ku po kryheshin veprime. Kjo është një shkelje e qartë dhe e përsëritur e ligjit i cili i garanton Avokatit të Popullit akses të plotë dhe të pakufizuar kudo ku ai e kërkon.

Nisur nga fakti që në datën 21.10. 2019 Avokati i Popullit i ka dërguar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë një raport të veçantë, ku konstatohen një sërë parregullsish nga institucionet publike, gjatë procesit të projektimit dhe zbatimit të kësaj vepre publike, si dhe disa muaj më parë i ka adresuar po Kuvendit të Shqipërisë, një raport të ngjashëm po për Unazën e madhe (për zonën e Shkozës), nisur nga zhvillimet e kësaj çështjeje, rekomandon të veprohet në afatet më të mira për shqyrtimin e këtyre raporteve dhe marrjen e masave përkatëse.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *