Presidenti Meta ka dhënë një intervistë për radion ‘Radio France International’. Kreu i shtetit ndodhet në kryeqytetin francez për të marrë pjesë në forumin e paqes.
Ai theksoi gjatë intervistës se Shqipëria është e vendosur të jetë faktor stabiliteti e bashkëpunimi në Ballkan, duke shtuar se Tirana zyrtare ka besim te partnerët europianë, sidomos te Berlini e Parisi.
‘Shqipëria është e vendosur dhe dëshiron të jetë një faktor i stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkan. Është në interes të rajonit dhe përgjithësisht të Europës. Ne kemi besim te partnerët tanë europianë, veçanërisht tek Franca dhe Gjermania. Për të pasur një Europë të sigurt dhe të zhvilluar, Ballkani, në të njëjtën kohë, duhet të jetë i qëndrueshëm dhe paqësor. Historia na e ka treguar gjithmonë këtë. Të gjithë e dimë se në Ballkan filloi Lufta e Parë Botërore.’ – tha Meta.
Kreu i shtetit komentoi edhe vendimin e Francës për moshapjen e negociatave të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut me BE-në.
Meta theksoi se pavarësisht qasjes së Francës, ajo u ka bërë thirrje vendeve kandidate që të thellojnë reformat e luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
‘Franca dhe Gjermania kanë qenë shtyllat kryesore të BE që nga krijimi i saj. Këto dy vende kanë marrë përsipër përgjegjësi të mëdha dhe tani janë duke hedhur themelet për të ardhmen e Europës përballë shumë sfidave. Kjo nuk është hera e parë që Franca u ka kërkuar vendeve që aspirojnë për t’u bërë anëtare të BE-së të jenë më efikase dhe më të qëndrueshme në plotësimin e reformave. Franca kërkon që procesi i zgjerimit të BE-së të kontrollohet dhe monitorohet më mirë përpara se të mirëpresin anëtarët e rinj. Në të njëjtën kohë, ajo nxit vendet aspirante si Shqipëria të thellojnë reformat në mënyrë që të jenë më të besueshëm, veçanërisht në fushat e imigracionit, drejtësisë, luftës kundër trafikimit, krimit të organizuar, etj.’ – shtoi më tej Meta.