Zyrtarët lokalë njoftuan se një raketë e hedhur nga militantët e grupit “Houthi” të mërkurën në një qendër ushtarake në Marib të Jemenit i ka lënë të vdekur së paku pesë ushtarë të këtij shteti.
Kjo bazë është qendra kryesore ushtarake ku organizohen ofensivat për rimarrjen e kontrollit në kryeqytetin Sana, i cili nga viti 2014 kontrollohet nga rebelët e përkrahur nga Irani. Maribi shtrihet 120 kilometra në lindje të Sana-s.
Ky lajm nuk është konfirmuar ende nga kolicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, e cila po lufton me këta rebelë qe pesë vjet.
Ndonëse zyrtarët lokalë thanë se në këtë sulm janë vrarë pesë ushtarë, një televizion saudit tha se shtatë ushtarë e kanë humbur jetën.
Dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë detyruar të zhvendosen nga Jemeni që nga fillimi i luftës së përgjakshme, e cila ka shkaktuar shkatërrim të ekonomisë dhe mungesë të ushqimit për popullin.
Rebelët që i kontrollojnë shumicën e qendrave urbane dhe kryeqytetin thonë se nuk janë duke luftuar sipas urdhrave të Iranit, por janë ngritur kundër një sistemi të korruptuar, shkruan “Reuters”.