Nis Seanca e Jashtëzakonshme në Kuvend. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, sapo ka marrë fjalën ka sulmuar presidentin e vendit Ilir Meta, lidhur me përplasjet për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
“Jemi përballë një krizë që synon të delegjitimojë Gjykatën Kushtetuese dhe ne si një Republikë e pastër parlamentare, kemi detyrimin për të gjetur gjedhjen. Për fat të mirë baballarët e Kushtetutës ishin të vetëdijshëm për rrezikun që mund të sillte një president me pushtet të madh dhe i dhanë kopetenca honofirike.
Të nderuar kolegë, ky president do të mbahet mend gjatë për shkak se doli dhe u vetë tregua si kundërshtari më i madh i Gjykatës Kushtetuese. Presidenti po pengon plotësimin e vakancave në Gjykatë.
Megjithatë, ekspertët që kanë punuar me ndryshimet kushtetuese, kanë parashikuar mekanizmat zhbllokues për situata të tilla. Afati 30 ditor është vetëm një nga këto. Gjykata Kushtetuese mbetet me rëndësi të veçantë.
Dua t’i bëj sot një apel, është e papranueshme që në cilësinë e kryetarit të shtetit të përgojojë pa të drejtë drejtues të institucioneve. Nuk ndodh asgjëkundi që presidenti i Republikës të marrë nëpër gojë kryetarin e KED. Duhet të jetë i fundit në këtë vend që merret me zotin Dvorani, për sa kohë që ai ka patur në ngarkim çështjen penale ndaj Ilir Metës.”, tha Balla.
Përmes një rezolute që pritet të votohet në këtë seancë, Kuvendi e konsideron nul dekretin e presidentit Meta, për anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari.
Marsida Xhaferllari u betua mbrëmjen e kaluar në presidencë si anëtare për Gjykatën Kushtetuese së bashku me dy anëtaret e zgjedhura nga Kuvendi. Mirëpo sot në Gjykatën Kushtetuese ka shkuar jo vetëm ajo por edhe Arta Vorpsi e cila bëri dje betimin te një notere.