Zhgënjyese përballja mes Shqipërisë dhe Francës në stadiumin e ri kombëtar, që i është vënë emri i kompanisë për arsye komerciale, “Air Albania”. Stadiumi i ri u inaugurua me një shije të hidhur pasi kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin 0-2, për gjelat e Francës.
Brohorimat e fillimit u venitën shumë shpejt që në minutën e 8, kur Toliso dhuroi golin e parë. Komentatori dhe gazetari i njohur i sportit, Dritan Shakohoxha, pati disa kritika për tifozët gjatë transmetimit të ndeshjes në “Supersport”. Ai tha se pjesa më e madhe do kishte qenë më mirë të kishte shkuar në shtëpi.
“Nuk e kuptoj këtë qetësi të madhe të tifozëve. Ata kanë ardhur këtu për të mbështetur Kombëtaren, por për hir të së vërtetës nuk po e bëjnë. Kjo nuk është një sallë për opera apo komedi, që të reagosh vetëm në një moment kulminant të një batute. Të kishte një biletë kundër Francës ishte fat, pasi kishte shumë interesim të madh. Përveç tifogrupeve, pjesa tjetër ndoshta duhej që ta shihte më mirë në shtëpi ndeshjen, pasi këtu, nuk po bëjnë zhurmën e duhur”, tha Shakohoxha.