Shkarkohet nga detyra anëtari e Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi. Vendimi sapo është marrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Relatori i çështjes tha se trupi gjykues pasi u tërhoq për marrjen e vendimit, “vendosi shkarkimin nga detyrë të subjektit të vlerësimit Besnik Muçi”.
Problem për Muçin sipas KPA-së, u bë mungesa e të ardhurave për një apartament të deklaruar nga gjyqtari.
Sipas trupit gjykues, Muçi ka kryer deklarim të pasaktë të pasurisë së tij dhe të të afërmve.
Kujtojmë se Besnik Muçi, është anëtari i parë që u dekretua nga presidenti Ilir Meta, për Gjykatën Kushtetuese.
Pas shkarkimit të tij, nuk ka vonuar reagimi nga Presidenca. Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi thotë se ky vendim nuk përbën asnjë surprizë, por e konsideron atë një vendim të turpshëm nga ana e KPA-së.
“ZERO SURPRIZË nga vettingu i Partisë. Pas dështimit të rrëmbimit flagrant të Gjykatës Kushtetuese, rikthehet skenari për bllokimin e këtij institucioni nga të njëjtët aktorë që e bllokuan për tre vjet. TURP! TURP! TURP!”– komentoi Blushi.
Vetë Muçi reagoi në një deklaratë për mediat, ku dha arsyet pse sipas tij KPA mori këtë vendim (lexo këtu). Por pavarësisht vendimit për shkarkimin e tij, Muçi tha se do të vijojë detyrën si anëtar i kësaj gjykate./Hashtag.al