Ekstradohet nga Londra një 35-vjeçar nga Kukësi, i cili rezulton i dënuar me 16 vite burg në Shqipëri pasi akuzohet për vrasjen e djalit të xhaxhait.
Ai është Granit Shehu 35-vjeç.
“Kapet në Londër një tjetër i kërkuar për vrasje, falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët. Ekstradohet nga Londra 35-vjeçari nga Kukësi, i dënuar me 16 vite burg për vrasje. Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Londra/Mbretëria e Bashkuar, drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Granit Shehu, 35 vjeç, lindur në Kukës.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendim të formës së prerë më datë 03.10.2018 e ka dënuar me 16 vite burg për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”. Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Shtetasi Granit Shehu në vitin 2015 në Kamzë në Tiranë, pas një konflikti për motive të dobëta ka vrarë me mjete prerëse shtetasin M. Sh. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Manchester/Britani e Madhe, u bë i mundur arrestimi i tij në Britani të Madhe, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.”– njofton policia.