Blog-Autor: Vehap Kola
Pasi as ai, as administrata e tij nuk e kishin prishur gjumin për t’u shkuar në ndihmë Durrësit dhe Thumanës, Edi Rama u shfaq disa orë pas tërmetit me skërmitje e akuza ndaj natyrës, apo ndaj Zotit, siç do ta kenë kuptuar shumica e bashkëbesimtarëve të tij katolikë dhe të të gjitha feve të mëdha në Shqipëri.
Deri sa zbardhi mirë drita, banorët e zënë nën rrënoja kishin pasur vetëm dorën e ndihmës së bashkëqytetarëve dhe të afërme të tyre, të cilët, me gjuhët e lagura nga përmendja e emrit të Zotit, po bënin të pamundurën për t’iu përgjigjur klithmave për ndihmë që çirrnin pëlhurën e asaj nate.
Një pabesi të madhe të natyrës e konsideroi tërmetin kryeministri i shqiptarëve me shumicë dërrmuese të deklaruar besimtarë të një prej feve abrahamike, akuzë që rrëqethi shumëkënd në ato momente kur vetëm zemërimi i Zotit nuk nevojitej. Rama nuk hezitoi të dëshmonte se mbi çdo perëndi qëndron zoti i rremë i egos së tij, që ushqehet përditë me lavdidashje dhe vetëadmirim satanik.
Në çdo vend normal, situata e fatkeqësisë natyrore do t’i kishte shtyrë udhëheqësit politikë, fetarë dhe lokalë të bashkoheshin në shërbesa fetare dhe në lutje drejtuar Zotit për të dhuruar vetëpërmbajtje dhe ndjenjë të solidaritetit të pakufizuar.
Megjithatë, në Shqipërinë e Edi Ramës, ku shpura e tij dhe ai vetë llogarit veç veten si udhëheqës, kurrkush nuk ishte në gjendje të përmbante rebelimin e epshit të vetëadhurimit nga goja e kryeministrit.
Natyrisht, nuk do shumë mend të thuhet se, nëse kishte një pabesi në këtë rast, ajo nuk vinte nga natyra, qielli apo Zoti, por pikërisht nga qeveria dhe agjencitë që paguhen nga taksat e shqiptarëve me angazhimin ligjor që të gjenden në ndihmë të komuniteteve të prekura nga fatkeqësitë.
Zoti, qielli apo natyra nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje me shqiptarët për të mos lejuar asnjë tërmet nën këmbët e tyre, as nuk jemi ne të parët e të vetmit në faqe të dheut që u goditëm nga tërmeti.
Përkundrazi, është qeveria që merr përsipër administrimin e punëve të shtetit, ku bën pjesë edhe administrimi i katastrofave natyrore dhe urgjencave civile, ajo që duhej të mos ishte vonuar asnjë minutë për t’u shkuar në ndihmë me ekipe dhe mjete të specializuara shqiptarëve që mbetën nën rrënoja.
Lufta e Edi Ramës me Zotin zhvillohet edhe në frontin e meritave, ku Rama merr për vete meritat e shpëtimit të jetëve të njerëzve, një gjë e padëgjuar në gjithë historinë e menaxhimit të krizave natyrore në botë. Ndërkohë që shqiptarët nuk e dinë se sa qytetarë të tjerë mbeten nën rrënoja, ata dinë me shumë saktësi numrin e qytetarëve që janë nxjerrë të gjallë.
Nëse një agjent tokësor do të kishte meritë për nxjerrjen e të mbijetuarve, ato do të ishin skuadrat profesionale dhe të mirëpajisura nga Kosova dhe jo ekipet partiake të të punësuarve të Rilindjes, të cilët nuk kishin sjellë as qentë e domosdoshëm.
Edhe pse qeveria dështoi ta bënte këtë, Zoti nuk i la vetëm shqiptarët dhe mbushi me humanizëm dhe dhembshuri zemrat e vëllezërve tanë nga Kosova, si dhe të popujve miq që të vijnë më të përgatitur, më të përkushtuar dhe më efikasë në ndihmë të shqiptarëve të dëmtuar. Nga ana e kryeministrit arrogant dhe të vetëmjaftueshëm edhe kjo llogaritet si meritë e tij, jo si dhunti e Zotit.
Paralelisht me rrahagjoksjen e Ramës për punët që po i bënin të tjerët, kryeministri sharlatan vijoi të rrotullojë thikën e pabesisë në kurrizin e shqiptarëve të braktisur, duke refuzuar shpalljen e gjendjes së emergjencës civile, sepse nuk dëshironte që sipas ligjit për emergjencat civile dëmet e shkaktuara nga ky tërmet të mbuloheshin nga buxheti i shtetit.
Kur Kosova, shteti i dytë shqiptar, nuk po ndalej në rrugën logjike të solidaritetit dhe respektit për popullin e Shqipërisë dhe kishte shpallur 27 nëntorin si ditë zie, Rama dhe Veliaj jo vetëm që nuk e kishin bërë këtë, por edhe pasi numri i të qytetarëve të vdekur po i afrohej të tridhjetëve, ata nuk hoqën dorë nga planet për të organizuar festime me rastin e Ditës së Pavarësisë dhe Ditës së Çlirimit. Emergjenca civile u shpall më 27 nëntor dhe bashkë me të edhe dita e zisë kombëtare.
Duket se edhe shpallja e gjendjes së emergjencës civile nuk ka qenë një tërheqje pa marrë diçka në shkëmbim. I dashuruar me kufizimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, Edi Rama paralajmëroi opozitën së ngulmimi i saj për shpalljen e gjendjes së emergjencës do të shpërblehet me kufizime edhe ndaj saj.
Është e qartë se ai nuk e ka shpallur emergjencën pa një plan të qartë përfitimesh personale dhe të pushtetit të tij, ku nuk është aspak çudi kufizimi i aktiviteteve politike, lirisë së mediave etj. Pabesia e regjimit të Ramës ndaj shqiptarëve nuk kishte si të mos shfaqej edhe aty ku në pamje të parë duket se ai po bën gjënë e duhur.
Mungesa e besës ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, si konstantja universale e filozofisë së Edi Ramës, do të vijojë edhe me procesin e rindërtimit që me siguri do t’u besohet oligarkëve përmes skemave PPP. Shqisa korruptive e regjimit të tij nuk mund të mos ketë nuhatur mundësinë për të justifikuar transferimin e fondeve nga buxheti në xhepat e oligarkëve, prej nga ndahen me Ramën, Veliajn dhe enturazhin e tyre sipas raporteve të paracaktuara. Si rrjedhojë, në vend që të përdorej për interesin e vërtetë të qytetarëve, buxhetit të shtetit do t’i hapet një shteg tjetër plaçkitjeje.
I pabesë ndaj shqiptarëve është Edi Rama edhe kur refuzon të përmendë një shifër të vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, ndërsa Republika e Kosovës ka vënë në dispozicion 500 mijë euro, komuna e Mitrovicës 20 mijë, organizata e diasporës amerikane Albanian Roots Inc ka mbledhur mbi 1 milion dollarë, dhe organizatat bamirëse dhe fetare krahas vendeve partnere kanë mbledhur gjithashtu fonde e ndihma materiale. Fondi i emergjencës nuk është i mjaftueshëm sipas vetë deklarimeve të ministres së Financave pas tërmeteve të shtatorit.
Orët dhe ditët në vijim do të nxjerrin në dritë pabesi të tjera të Edi Ramës dhe regjimit të tij dhe për çdo shqiptar me mendje të kthjellët do të dalë në pah si drita e diellit ndihma dhe mëshira e Zotit për popullin tonë.
Njëkohësisht, ne do të dëgjojmë nga Edi Rama gjithnjë e më shumë fajësime drejtuar Zotit, qiellit, natyrës dhe gjithnjë e më shumë krekosje vetëmburrëse të Ramës për gjithë mirësitë dhe ndihmën që Zoti dhe krijesat e tij do t’u ofrojnë shqiptarëve.
Prandaj, është e domosdoshme që mendjet e kthjellëta të këtij vendi të dënojnë luftën e pacipë të Edi Ramës dhe regjimit të tij me Zotin, të vetmen shpresë për ndihmë dhe ngushëllim që na ka mbetur.
Ndërkohë që shqiptarët, i madh e i vogël, këtej e përtej kufirit janë bërë një frymë për të ndihmuar gjymtyrën e plagosur të kombit, ajo që më së shumti na nevojitet është lutja dhe falenderimi drejtuar Zotit për hirin që shfaqi, duke na mbrojtur nga më e keqja dhe duke e bërë virtytin të dominojë mes nesh.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Exit.al