Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka denoncuar sulmin e qeverisë ndaj medias së lirë dhe aktivistëve të shoqërisë civile.
Në reagimin e saj, ajo shkruan se përtej pasojave të tmerrshme të tërmetit, sulmi i qeverisë ndaj medias është po aq i trishtë duke deklaruar se denoncon me forcë këto akte të patolerueshme.
‘Shqipëria po kalon ditët e saj më të trishta, jo vetëm nga pasojat e tmerrshme të tërmetit, që shkaktoi humbje jetësh njerëzore dhe dëme të mëdha materiale, por edhe nga sulmi i paskrupullt i qeverisë ndaj medias së lirë dhe aktivistëve të shoqërisë civile. Sot ndodhem në Bruksel për të zhvilluar një seri takimesh me eurodeputetë nga vende të ndryshme të BE. Në këto takime do të apeloj tek bashkëbiseduesit për ndihmë nga vendet e tyre dhe do i kërkoj të mbështesin çdo nisëm të KE apo PE për të ndihmuar Shqipërinë në këto kohë të vështira. Gjithashtu do denoncoj me forcë aktet e patolerueshme diktatoriale mbi lirinë e medias.’ – shkruan Kryemadhi.
Më tej Kryemadhi shkruan se veprimet e fundit të qeverisë tregojnë qartë se qeveria e urren lirinë duke sulmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë mediat e pakapura që denoncojnë rregjimin autokrat të Ramës.
‘Sulmet e drejtpërdrejta apo të tërthorta ndaj mediave të pakapura, të lira dhe kurajoze, që po denoncojnë me forcën e faktit regjimin autokrat të Edi Ramës, janë kthyer në një ofensivë të vërtetë kundër demokracisë dhe lirisë së medias! Gjatë këtyre ditëve pushteti autokrat goditi mediat e pavarura si JOQ Albania, Dosja.al, faqen satirike dhe informative “Brryli Broadëay” apo arrestimin dhe tentativën për arrestim të aktivisteve të shoqërisë civile si Xhulia Aliaj dhe Adriana Kalaja tregojnë qartë, që kjo qeveri e urren lirinë!’ – shton më tej kryetarja e LSI-së.
Në fund Kryemadhi shkruan se paketa ‘Antishpifje’ e propozuar nga Rama, shpifësi më i madh në historinë e 30 viteve do jetë pjesë e denoncimit me përfaqësuesit e Parlamentit Europian duke shtuar se LSI-ja nuk do e ndalë luftën në mbrojtje të demokracisë.
‘Paketa “Antishpifje” e propozuar, nga Kryeministri, shpifësi më i madh që njeh historia politike e këtyre 30 viteve, do të jetë pjesë e denoncimit tim me përfaqësuesit e Parlamentit Evropian. Në asnjë çast nuk duhet të ndalim luftën në mbrojtjen e demokracisë, e lirisë së mediave dhe të të drejtave të njeriut. Çdo arsye sa do madhore të duket në pamje të parë nga interpretimet malinje të pushtetit të frikësuar është shumë më e vogël se dorëzimi “vullnetar” tek pushteti autokrat i të drejtave të fituara. Njëri nga etërit themelues të shtetit dhe demokracisë amerikane, Benjamin Franklin ka thënë: Ata, që janë të gatshëm të japin lirinë e tyre, në këmbim të premtimit se do të kenë më shumë siguri, nuk meritojnë as njërën as tjetrën.’ – mbyll Kryemadhi.