Vendosni fjalën kyçe....

Kuksiania fiton çmimin me rëndësi në Britani: Ia dedikoj të prekurve nga tërmeti


Një shqiptare është vlerësuar me një çmim të rëndësishëm në fushën e teknologjisë. Arta Çika me origjinë nga Kukësi, ka arritur të zgjidhet si një nga fitueset e çmimit “TechWomen100” për vitin 2019  në Mbretërinë e Bashkuar (kliko këtu për listën e fituesve).

Arta studion në Departamentin e Shkencës së Inxhinierisë, në Universitetin e Oksfordit. Në vitin 2015, ajo u diplomua në Komunikim dhe Inxhinieri Kompjuterike në Torino. Çika është gjithashtu fituese e Bursave IRCN dhënë nga Universiteti i Tokios.

“Ndjehem shume e vlerësuar dhe krenare që jam zgjedhur si një nga 100 fitueset e çmimit “TechWomen100” për vitin 2019 ne Mbretërine e Bashkuar (UK). Dua të falenderoj nga zemra Jurinë Teknike që më zgjodhi, të gjithë publikun në mbarë botën e veçanërisht atë shqiptar që më votuan. Jam shumë e lumtur për të gjitha mesazhet, vlersimet dhe mbeshtetjen që më keni dhënë këto javë.

Kujtimet e mia shkojnë mbrapa tek femijëria ime, kur isha një vajzë e vogël që i pëlqente të luante futboll ne rrugët e Kukësit po me ëndërra të mëdha. Do doja shumë të kthehesha mbrapa në kohë, të takoja atë vajzë luftarake dhe ti thoja që “Vazhdo ëndërro fort. Asgjë nuk do të të ndalojë që të arrish synimet e tua.” Dhe ky është një mesazh që dua tua them të gjithë vajzave të vogla në mbarë botën. Mos e konsideroni inxhinierine si një “profesion burrash”, dhe mos kini frikë nga e panjohura. Puna gjithnjë shpërblehet.”- shprehet Arta Çika.

Në këto ditë të vështira për Shqipërinë, Çika nuk i ka harruar bashkëatdhetarët e saj dhe këtë çmim ia dedikon pikërisht vendit të origjinës.

“Në fund, do doja t’ia dedikoja këtë çmim vendit tim të dashur, Shqipërisë, ku linda u rrita e mora dijet e para dhe të gjithë njerëzve, në veçanti atyre të prekur nga termeti. Siç thotë edhe shprehja: “Supet e maleve dhe supet e shqiptareve nuk janë kërrusur kurrë”. Vazhdoni të qëndroni të palëkundur. Jam pranë jush. Jemi të gjithë shqiptarët bashkë anëmbanë botës. Kjo na jep forcë e na bën krenarë. Faleminderit të gjithëve.”- shkruan Arta Çika.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *