Prokurorët gjermanë thanë se provat sugjerojnë se Rusia ose Çeçenia mund të kenë porositur vrasjen e një burri gjeorgjian në Berlin. Dy diplomatë rusë janë dëbuar, ndërsa qeveria gjermane po diskuton hapat e mëtejshëm.
Prokurorët federalë gjermanë njoftuan të mërkurën se po marrin përsipër hetimet mbi vrasjen e një azilkërkuesi gjeorgjian në Berlin, duke konfirmuar raportet e mëparshme.
Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm i Berlinit thotë se provat tregojnë për përfshirjen e shtetit rus, presioni ka të ngjarë të rritet mbi qeverinë e kancelarrd gjermanr Angela Merkel, që ajo të dërgojë një sinjal të fortë në Moskë.
Ajo që dihet deri më tani
Prokurorët thanë se ka ‘prova të mjaftueshme’ për të treguar se vrasja e burrit gjeorgjian u krye në emër të shtetit rus ose nga ai çeçen.
Ministria e Jashtme Gjermane njoftoi gjithashtu se dy punonjës në ambasadën e Rusisë në Berlin ishin përcaktuar ‘personae non grate’ dhe ishin dëbuar.
Emrat dhe pozicionet e diplomatëve nuk u dhanë, megjithëse ministria tha se e ndërmori këtë veprim pasi autoritetet ruse nuk arritën të ‘bashkëpunojnë sa duhet’ në hetimin e vrasjes.
Ministria e Jashtme Ruse e quajti masën për të dëbuar diplomatët ‘hap armiqësor e të pabazë’ dhe u zotua të kundërpërgjigjet.
Dyshimet nga fillimi
Në fund të gushtit, 40-vjeçari Zelimkhan Khangoshvili u qëllua për vdekje sipas ‘stilit të ekzekutimit’ në parkun ‘Kleiner Tiergarten’ të Berlinit. I dyshuari në këtë rast, një shtetas rus 49 vjeç, kreu vrasjen hipur mbi një biçikletë në mes të ditës, duke e qëlluar viktimën në kokë dhe gjoks, thanë prokurorët.
Që nga fillimi, vrasja ngriti shqetësime se Agjencia Ruse e Iinteligjencës mund të ishte e përfshirë. Moska ndërkohë ka mohuar çdo përfshirje në këtë çështje.
Kush ishte viktima?
Khangoshvili ishte një azilkërkues me prejardhje çeçene nga Gjeorgjia që luftoi kundër rusëve si separatist gjatë Luftës së Dytë Çeçene nga viti 1999 në vitin 2009. Ai njihej gjithashtu me një identitet të dytë ‘Tornike K.’ që ishte ai që përdoret nga prokurorët gjermanë. Pas luftës, ai raportohet se ka punuar në Ukrainë dhe Gjeorgji kundër interesave ruse.
Në deklaratën e tyre, prokurorët gjermanë thanë se ai ishte ‘klasifikuar si terrorist nga autoritetet ruse dhe u persekutua si i tillë’.
Ai kërkoi azil në Gjermani në vitin 2016 pas disa atentatesh ndaj tij në Gjeorgji. Megjithatë, kërkesa e tij për azil u refuzua dhe ishte planifikuar të dëbohej. Ish-gruaja e Khangoshvilit, Manana Tsatieva, më parë i tha ‘DË’: ‘Ne u paralajmëruam që kjo do të ndodhte’.
Merkel: ‘Asnjë ndihmë aktive nga Rusia’
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ajo planifikon të ngrejë çështjen me presidentin rus, Vladimir Putin, kur ta takojë atë javën tjetër në Francë për bisedime mbi procesin e paqes në Ukrainë.
‘Ne nuk kemi marrë asnjë ndihmë aktive nga Rusia në zgjidhjen e këtij rasti,’ u tha ajo gazetarëve në Samitin e NATO-s në Londër.
Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, përshëndeti vendimin e prokurorit federal për të hetuar çështjen e vrasjes.
‘Kjo thotë diçka për rëndësinë e këtij krimi. Qeveria ende po diskuton për pasojat e mëtejshme që do të nxjerrim nga kjo,’ tha ai para gazetarëve në Berlin.
Roderich Kiesewetter, ekspert i politikës së jashtme me Krsitiandemokratët e kancelares Merkel (CDU), tha se qeveria mori vendimin e duhur për të dëbuar diplomatët rusë.
‘Rusia nuk arriti të punojë në një mënyrë të besueshme me autoritetet gjermane dhe të sigurojë informacione për të dyshuarin,’ tha Kieseëetter për ‘DW’
‘Dëbimi i dy diplomatëve rusë është një përgjigje proporcionale dhe pasuese.’
Ai shtoi se tani që shteti rus është përfshirë në krim, Moska duhet të fillojë bashkëpunimin ‘për të shmangur një humbje të mëtejshme të besimit’.
Implikimet politike
Prokurorët federalë në Gjermani kanë marrë përsipër hetimet teksa ekziston një dyshim i fortë për përfshirje nga një shtet i huaj.
Rasti kërcënon të përkeqësojë tensionet tashmë të acaruara midis Berlinit dhe Moskës. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i tha agjencisë ruse të lajmeve ‘Interfax’ se Rusia do e shqyrtojë çështjen.
‘Së pari ne do shqyrtojmë se për çfarë po akuzohemi dhe pse po ndodh kjo,’ tha ai. Rusia ka thënë gjithashtu se kjo nuk duhet të ndikojë në bisedimet e planifikuara në Paris javën e ardhshme midis Putinit dhe presidentit të Ukrainës, Zelenskiy, ku Franca dhe Gjermania kanë vendosur të veprojnë si ndërmjetës.
Rasti aktual ndjek helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij, që u helmuan me një agjent nervor në Britaninë e Madhe vitin e kaluar.
Për sulmin ndaj Kripal u fajësua Moska, gjë që çoi në dëbimin e dhjetëra diplomatëve rusë dhe kjo shkaktoi një krizë diplomatike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e DW