Vendosni fjalën kyçe....

Paralizohet Franca, qytetarët zbresin në rrugë kundër reformës së pensioneve


Një grevë mbarë kombëtare kundër reformës së pensioneve ka bllokuar plotësisht transportin në Francë. Fotografitë tregojnë mijëra punëtorë duke marshuar në atë që quhet si protesta më e madhe e këtij lloji që nga 1995.

Marshimet masive të punëtorëve u thirrën me shpresën për të detyruar presidentin Macron të braktiste planet e tij për të rishikuar sistemin e pensioneve në Francë. Në Paris, 11 nga 16 linjat e metrosë së qytetit u mbyllën dhe shkollat ​​në kryeqytet dhe në të gjithë vendin u mbyllën.

Greva, e cila pritet të vazhdojë deri të hënën, gjithashtu paralizoi 90 përqind të trenave të vendit dhe detyroi ‘Air France’ të anulojë 30 përqind të fluturimeve të saj të brendshme.

Në Paris, 6,000 policë u mobilizuan për të mbajtur nën kontroll protestat në rrugë.

Greva gjithashtu detyroi pikat turistike më ikonike të Francës të mbyllnin dyert e tyre. ‘Kulla Eifel’ dhe ‘Muzeu Orsay’ nuk u hapën të enjten për shkak të mungesës së stafit, ndërsa ‘Louvre’, ‘Pompidou Center’ dhe muze të tjera thanë se disa nga ekspozitat e tyre nuk do të jenë në dispozicion për t’u parë.

Ekspertët thonë se greva, e përshkruar si më e madhja në llojin e saj në dekada, mund të shkaktojë telashe për Macron-in. Duke u mbështetur nga demonstratat e vijueshme të ‘Jelekëve të Verdhë’, greva mund të paralizojë Francën dhe ta detyrojë Macron-in të rimendojë reformat e tij të planifikuara.

Macron ka propozuar bërjen e një sistemi të vetëm pensionesh të bazuar sipas pikëve për të cilin ai tha se do të ishte më i drejtë për punëtorët duke kursyer edhe paratë e shtetit.

Sindikatat e punëtorëve kundërshtojnë masën, duke argumentuar se ndryshimet do të kërkojnë që miliona njerëz të punojnë përtej moshës së pensionit ligjor 62 vjeç, në mënyrë që të marrin pensionin e tyre të plotë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *