Vendosni fjalën kyçe....

Basha: 5 pikat urgjente për rimëkëmbjen e biznesit të prekut nga tërmeti


Kreu i Partisë Demokratike Basha, ka propozuar 5 masa për rimëkëmbjen e biznesit të prekur nga tërmeti.

Pas një takimi me përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë e Industrisë së Durrësit, Basha tha se tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike e sociale.

Ai shtoi se ndërprerja dhe reduktimi i aktivitetit ekonomik, dëmet në struktura, makineri dhe inventar, fatura financiare, pezullimi i punës nga një numër jo i vogël të punësuarish banesat e të cilëve janë shkatërruar apo dëmtuar rëndë janë problemet kryesore me të cilat ballafaqohet sipërmarrja.

Kryedemokrati tha se pas konsultimit me përfaqësuesit e Asamblesë së Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Durrësit, me ekipin ekonomik të Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar dhe ekspertë të fushës, si dhe bazuar mbi përvojat e ngjashme në vende fqinje, ishte arritur në propozimin e 5 masave me efekt të menjëhershëm.

5 masat e propozuara nga PD-ja

  1. Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.
  2. Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.
  3. Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit.
  4. Përjashtimin nga tvsh për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve.
  5. Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *