Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka deklaruar se emergjencat civile nuk funksionuan dhe se paralajmërimet për tërmetin nuk u morën seriozisht nga autoritetet shqiptare.
Ajo ishte e ftuar në rubrikën ‘Kjo Javë’ në ‘News24’ ku theksoi se veprimet dhe mosveprimet e qeverisë u kushtuan jetën 51 viktimave.
‘Duhet që ngjarjet e tjera të mos na gjejnë më të papërgatitur dhe të paorganizuar siç ishim në datën 26 nëntor. Edhe pse kemi pasur disa paralajmërime, qoftë paralajmërimi i 29 korrikut që e morën me shaka, qoftë paralajmërimi pas tërmetit të 21 shtatorit që përsëri e morën me shaka. Dhe mos harrojmë letrën e presidentit, e cila në fakt ishte dokument sekret, mazhoranca, Olta Xhaçka tha që firmosni ligjin e emergjencave kur ligji emergjencave ishte i bërë gati. Dhe që nga korriku dhe sot e kësaj dite, emergjencat shqiptare nuk funksiononin dhe vendimi i qeverisë është bërë më datën 27 nëntor, pra pas tërmetit. Ka disa veprime dhe mosveprime, disa me dashje disa me padije, disa nga budallallëku themi ne të cilat kanë kushtuar jetën e 51 viktimave shqiptare.’ – tha Kryemadhi.
Më tej ajo shtoi se sot më shumë se kurrë vendi e shqiptarët nuk kanë nevojë për propagandë e batuta bajate.
Kryemadhi tha se mosveprimi në Thumanë për të nxjerrë familjet jashtë ka qenë me dashje dhe se prokuroria duhet të kishte nisur hetim të menjëhershëm për rastin në fjalë.
‘Mosveprimi në pallatet e Thumanës për të nxjerrë familjet jashtë ka qenë një mosveprim me dashje dhe për këtë prokuroria duhet të kishte filluar hetim të menjëhershëm. Çfarë ka ndodhur, pse familjet kanë ndejtur aty pse nuk janë nxjerrë.’ – shtoi kryetarja e LSI-së.