Vendosni fjalën kyçe....

Pse gratë në Kenia po shkruajnë në rrugë?


Gratë dhe vajzat e reja në Kibera, një nga vendbanimet më të mëdha informale të Afrikës, po shkruajnë nëpër rrugë apo në kanavacë përvojat e tyre të ngacmimit seksual.

Paralajmërim: Disa lexues mund të shqetësohen nga disa fjalë të përdorura në këtë artikull.

Zubeida Yusuf ka jetuar në Kibera (pranë qytetit të Nairobit në Kenia) gjatë gjithë jetës së saj dhe për aq kohë sa ajo mban mend, ngacmimi në rrugë ka qenë pjesë e jetës së saj.

“Burrat të thonë gjëra të tilla si përshembull: ‘Ti je shumë e shëndoshë. A është nëna jote kasape? A e ka përdorur Perëndia copën e tij të fundit të argjilës tek ti sepse ke gjinj të mëdhenj dhe të pasme të mëdha’.  Është shumë për t’u përballuar kur ecim këtu në rrugë”– thotë 22-vjeçarja.

Por me kalimin e kohës, zonja Yusuf ka mësuar si të luftojë kundër këtyre ngacmimeve dhe po ndihmon dhe gratë e tjera në Kibera të gjejnë zërin e tyre në situata kur ndjehen të pafuqishme.

Duke përdorur shkumësa, Yusuf dhe vajza e gra të tjera po shkruajnë përvojat e tyre të ngacmimit në rrugë.

Ato shpresojnë se kjo fushatë e quajtur “Kthimi i Shkumësit” do të nxisë biseda rreth natyrës së dëmshme të ngacmimeve seksuale në rrugë.

“Në ditët e sotme, kur burrat më fyejnë, unë ndaloj dhe i pyes në fytyrë pse po e bëjnë këtë. Megjithatë, për vajzat e mitura mund të jetë më e vështirë që t’u kthehen. Kjo është arsyeja pse fushata si këto janë të rëndësishme. Më shumë prej nesh duhet të kundërshtojnë dhe t’u tregojnë njerëzve se nuk është mirë të flasin me gratë në këtë mënyrë.”– thotë Yusuf.

Mesazhe tronditëse

“Respekto trupin tim”, thuhet në një mesazh në rrugë.

Të tjera shkrime në suedisht, zbulojnë mesazhe më shqetësuese.

“Chura hii”, një shprehje në zhargon që ka kuptimin e prostitutës, por njëkohësisht do të thotë edhe bretkosë në suedisht.

Caroline Mwikali, e cila është 20 vjeç dhe gjithashtu banore e Kibera-s, rrëfen se disa nga shprehjet e përdorura kundër saj lëndojnë më shumë se sa autorët e kuptojnë.

“Ju nuk mund të ecni nëpër këto rrugë pa hasur një njeri që thotë diçka të keqe për ju. Ndonjëherë ne madje krahasohemi me kafshët. Ndikon në vetëvlerësimin e dikujt. Shpesh pyes veten: A jam me të vërtetë aq e pavlerë ose aq e shëmtuar sa ai person thotë?”– shprehet ajo.

Por problemi nuk është vetëm kostoja emocionale e ngacmimit në rrugë.

Zona të ndaluara për gratë

Sipas Kombeve të Bashkuara, mungesa e të dhënave dhe politikave krahasuese të vendit mbi ngacmimin në rrugë është një ndër shumë sfidat kur bëhet fjalë për luftimin e problemit dhe sigurinë e vajzave dhe grave në hapësirat publike.

Një studim i planit ndërkombëtar të ngacmimit në rrugë të pesë qyteteve, zbuloi se më pak se një në 10 prej grave dhe vajzave të intervistuara, i kanë raportuar përvojat e tyre te autoritetet.

Kjo për shkak se gratë nuk ishin të sigurta se çfarë mund të bënin saktësisht autoritetet për këtë dhe nuk e dinin nëse ngacmimi në rrugë mund të cilësohej si një krim “serioz”.

Ekspertët pajtohen që ngacmimi në rrugë vazhdon të pengojë pjesëmarrjen e grave në hapësirat publike sociale dhe ekonomike. Shpesh, gratë detyrohen të modifikojnë sjelljen e tyre për t’u përshtatur.

“Ka disa skenarë që unë i shmang. Kur shoh një grup të madh burrash të mbledhur diku, nuk kaloj atje”, thotë zonja Mwikali.

“Ka edhe vende, veçanërisht në mbrëmje që nuk do të më gjejnë kurrë jashtë. Gratë janë dhunuar në disa prej këtyre zonave”.– shton ajo.

Ndërsa bota vazhdon të shënojë ditë aktivizmi kundër dhunës me bazë gjinore, gratë në të gjithë botën marshojnë për të kërkuar më shumë drejtësi kur bëhet fjalë për krime të tilla.

Ndërsa zonja Mwikali dhe gra të tjera vazhdojnë të shkruajnë në rrugë, disa burra mblidhen përreth. Ata thonë se rrëfimet e grave për ndikimin e ngacmimit në rrugë i kanë hapur sytë.

“Mendësia jonë për një kohë të gjatë ka qenë se ne kemi të drejtë mbi gratë. Ne mendojmë se nëse i flasim një vajze ajo duhet të përgjigjet. Ne nuk e dinim që nuk ishte në rregull deri vonë. Ne po mësojmë ngadalë.”– thotë një 25-vjeçar, Wilson Maina.

“Unë mendoj se dimë më shumë tani. Jemi ndriçuar në lidhje me çështjet që lidhen me dhunën seksuale dhe dhunën me bazë gjinore dhe se si ta trajtojmë atë”– shton 26-vjeçari, Jairus Omulando.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BBC


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *