Kryeministri ende në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj duket se ka ndryshuar mendje lidhur me mandatin e deputetit, pasi është regjistruar si deputet i legjislaturës së ardhshme të Kuvendit. Lajmin e ka dhënë vetë Haradinaj përmes një postimi në “Facebook”, ku shkruan se Kosova ka treguar demokraci të lartë në zgjedhje.
“Sot, në Kuvendin e Republikës se Kosovës, për të përfunduar regjistrimin për Legjistraturën e VII.
Kosova ka treguar demokraci të lartë në procesin e ri zgjedhor dhe uroj që kjo legjislaturë të arrijë të adresoj çështjet tejet të rëndësishme për popullin e Kosovës”- shkruan Haradinaj.
Pasi koalicioni i tij humbi zgjedhjet e përgjithshme, Haradinaj pati deklaruar se mandatin e tij do ia dorëzonte një tjetër kandidati në listë. Mirëpo sot ai e ka pranuar mandatin e deputetit.
Partia e Haradinajt AAK doli e katërta në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, duke fituar vetëm 11.57 për qind të votave.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit fitoi duke siguruar 26.12% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mori 24.45 %, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 21.16 %.
Regjistrimi i deputetëve të rinj ka filluar të hënën dhe do të zgjasë disa ditë.