Dy anëtarët rusë të ekuipazhit të helikopterit luftarak ‘Mi-28’ kanë humbur jetën pas rrëzimit gjatë një fluturimi stërvitor në rajonin e Krasnodar të Rusisë.
Shkaku i aksidentit po hetohet, por dyshohet se gjatë kohës së stërvitjes ka pasur mjegull të dendur.
‘Më 11 Dhjetor 2019, rreth orës 20:00, një helikopter ‘Mi-28’ u rrëzua në rajonin Krasnodar në afërsi të fushës ajrore Korenovsk gjatë një fluturimi stërvitor, të kryer gjatë natës nën mot të vështirë,’ tha Ministria Ruse e Mbrojtjes në një deklaratë, duke konfirmuar përplasjen dhe vdekjen e dy anëtarëve të ekuipazhit.
Ata u identifikuan si drejtuesi i skuadronit, Ruslan Kushnirenko dhe zëvendësshefi i trajnimit, Aleksandër Sklyankin.
Mbetjet e helikopterit u gjetën afërsisht 2.5 kilometra larg fushës ajrore. Mjeti ajror nuk kishte municion në bord. ‘Mi-28’, i njohur si ’Havoc’ nën emërtimin e NATO-s, është një helikopter sulmi analog me atë amerikan, ‘Apache’.