Vendosni fjalën kyçe....

Jeremy Corbyn tërhiqet pas humbjes së thellë: Nuk do ta udhëheq më partinë në zgjedhjet e ardhshme


Udhëheqësi i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn ka deklaruar sot se do të heqë dorë nga drejtimi i partisë së tij, pasi pësoi humbjen më të madhe elektorale në 84 vjet.

Mirëpo siç shkruan Reuters, ai nuk caktoi një datë se kur do largohej dhe shtoi se do të mbetej në krye gjatë periudhës së reflektimit.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Britani, treguan se Partia Konservatore e kryeministrit Boris Johnson kishte arritur një fitore të jashtëzakonshme, duke i lejuar atij të përfundojë Brexit më 31 Janar.

Partia e Johnsonit ka fituar më shumë se 360 ​​nga 650 vende gjithsej në Dhomën e Komunave, që është shumica më e madhe që nga Margaret Thatcher në vitet ’80.

“Unë nuk do ta udhëheq partinë në asnjë fushatë të ardhshme zgjedhore”- tha Corbyn në zonën e tij elektorale në Londrën veriore. 70-vjeçari i përshkroi rezultatet e zgjedhjeve si “shumë zhgënjyese.

“Unë do të diskutoj me partinë tonë dhe do të siguroj që të ketë një proces reflektimi mbi këtë rezultat dhe politikat që partia do të marrë përpara.”– tha Corbyn.

Ruth Smeeth, kandidate e partisë së Corbyn pranoi humbjen para gazetarëve në qytetin e saj në Stoke-on-Trent, i konsideruar si një bastion i Laburistëve. Ajo ia vuri gjithë përgjegjësinë liderit të partisë.

“Unë kam humbur përfundimisht. Ai duhet të ishte larguar shumë, shumë, shumë muaj më parë.”– tha ajo.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *