Kryeministri Edi Rama ka deklaruar pasditen e sotme se brenda vitit 2020, të gjitha shtëpitë e shkatërruara në fshat do rindërtohen.
Kreu i qeverisë u shfaq në një videomesazh në kanalin e tij në Facebook, ku u kërkoi qytetarëve besim e durim, duke thënë se së bashku mund të bëjmë histori.
‘Brenda vitit 2020 do jenë rindërtuar shtëpitë e shkatërruara në fshat. Brenda qershorit 2021 ata që kanë humbur shtëpinë në qytete, kemi ambicien që ata të jenë në apartamente të reja. Të keni besim dhe mundësisht sa më shumë durim. Konferenca e donatorëve do mbahet në Tiranë në fund të janarit apo fillim të shkurtit. Juve ju lutem që të keni besim dhe mundësisht sa më shumë durim. Ne së bashku do bëjmë histori.’ – tha Rama.
Ai theksoi se qeveria e tij është përpjekur të bëjë më të mirën në situatën e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit, pavarësisht gabimeve dhe të metave që janë vërejtur.
Lidhur me opozitën, Rama tha se ajo është e padukshme në menaxhimin e situatës.
Kreu i qeverisë dha gjatë videomesazhit disa të dhëna lidhur me menaxhimin e situatës pas dëmeve të tërmetit për sa i përket sistemit të banorëve që kanë mbetur pa shtëpi.
‘Opozita ka qenë thuajse inekzistente, përjashto aljet rutinë të Lulzim Bashës, të cilin e përshëndes edhe tani edhe njëherë dashamirësisht për vetëpërmbajtjen. Duhet të japim maksimumin përtej vetes për ata fatkeqë që kanë humbur shumë më tepër sesa të gjithë ne të tjerët. Tërmeti na ka dhënë mundësinë e jashtëzakonshme që të ringrihemi së bashku, përtej partive, përtej vetvetes. Vendi jonë duhet të dalë sa më i fortë nga kjo gjë.’ – shtoi kreu i qeverisë.