Rreth 54,000 njerëz u evakuuan nga qyteti i Brindisit këtë të dielë, pasi ekspertët po mundohen të ç’aktivizojnë një bombë të Luftës së Dytë Botërore.
E përditshmja Corriere della Sera tha se ky ishte evakuimi më i madh gjatë ditës së paqes në Itali, me më shumë se 60% të banorëve të qytetit të detyruar të largoheshin nga zona e rrezikut, në një rreze prej 1.617 metrash nga vendi ku u gjet bomba.
Bomba britanike, që besohet të ketë rënë në qytet në vitin 1941, është e gjatë 1 metër dhe përmban 40 kilogramë dinamit. Bomba është gjetur rastësisht muajin e kaluar gjatë punimeve për rinovim në një teatër kinemaje.
Aeroporti i qytetit, stacioni i trenit, dy spitalet dhe një burg u mbyllën dhe u evakuuan si pjesë e operacionit, të cilin autoritetet presin të përfundojnë rreth orëve të drekës.