Kryeministri Rama ka deklaruar mbrëmjen e sotme se projektligjet e mediave do miratohen në seancën e ditës së nesërme.
Në dy postime të njëpasnjëshme në Twitter, kreu i qeverisë shkruan se të gjithë ata që çirren për diktat mbi mediat nuk e kanë lexuar fare tekstin e projektligjit.
‘Keqardhje për ata që lirinë e shprehjes e përdorin për t’u ankuar për mungesën e lirisë;për ata që nxjerrin deklarata pa lidhje fare me ligjin e ri; për ata që çirren për diktat imagjinar mbi mediat dhe për të gjithë bashkë që as nuk e kanë lexuar tekstin http://parlament.al/News/Index/9800’ – shkruan Rama në postimin e parë.
Në postimin e dytë, Rama shkruan se projektligji do miratohet në seancën e ditës së nesërme duke thënë se ai është frut i një pune të përbashkët me OSBE-në dhe i dakordësuar me ekspertët e zyrës së Vjenës.
‘Projekti do të hyjë nesër për miratim në seancë pas një pune të përbashkët thuajse njëvjeçare me OSBE e i dakordësuar 100% me ekspertët e zyrës së Vienës nën drejtimin e @harlemdesir. I falenderoj për kontributin e çmuar dhe angazhimin në vazhdim për aktet nënligjore #Antishpifje.’ – shkruan Rama në postimin e dytë.