Kryeministrja e Skocisë dhe drejtuesja e Partisë Kombëtare Skoceze SNP, Nicola Sturgeon tha se qeveria e Britanisë së Madhe ka ‘detyrën demokratike’ të lejojë që Skocia të votojë për pavarësinë e saj për herë të dytë, përndryshe ‘të gjitha mundësitë’ do konsiderohen.
Sturgeon i bëri komentet e saj të enjten, një javë pasi kryeministri Boris Johnson fitoi zgjedhjet parlamentare.
‘Shpesh më shtrohet pyetja: Çfarë do të bëni nëse Boris Johnson thotë jo? Siç e kam thënë edhe më parë, unë do t’i shqyrtoj të gjitha mundësitë e arsyeshme për të siguruar të drejtën e Skocisë për vetëvendosje.’ – tha Sturgeon.
Partia Kombëtare Skoceze (SNP), e cila ka kohë që kundërshton Brexit-in, shënoi gjithashtu një fitore mbresëlënëse, duke fituar vende shtesë në Parlament.
Sturgeon tha më parë se përparësia e partisë së saj është të parandalojë që Britania e Madhe të largohet nga BE-ja pa marrëveshje me Brukselin.
55 përqind e votuesve skocezë zgjodhën të mbeten në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2014, ndërsa 44 përqind votuan kundër. Skocia tani po shqyrton një tjetër referendum për pavarësi në rast të një Brexi-it ‘pa marrëveshje’.