Vendosni fjalën kyçe....

‘AlbChrome’ shkarkon nga puna një tjetër sindikalist


Kompania e Samir Manes ka shkarkuar nga puna një tjetër anëtar të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

Lajmi është konfirmuar nga kjo sindikatë përmes një njoftimi, ku thuhet se punonjësi i shkarkuar është Behar Gjimi. SMBB e konsideron shkarkimin e Gjimit si një akt të paligjshëm dhe të padrejtë nga ana e kompanisë ‘AlbChrome’. Behar Gjimi është sindikalisti i tretë që shkarkohet nga puna, pas financierit të SMBB-së Beqir Duriçit dhe kryetarit Elton Debreshi.

“PALIGJSHMËRIA E ALBCHROME NUK NJEH MË KUFI

Ditën e sotme erdhi vendimi për pushimin nga puna të Behar Gjimit, anëtar i Këshillit Sindikal të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Praktika e ndjekur nga Albchrome sh.p.k, njëjtë si në rastin e Elton Debreshit dhe Beqir Duriçit, është sa e paligjshme aq edhe e padrejtë.

Jo vetëm pushimi nga puna, por edhe masa e parë disiplinore ndaj Behar Gjimit më 2 dhjetor 2019, ka qenë e paligjshme, në shkelje të Kodit të Punës dhe kontratës së punës. Këto masa nuk kanë ardhur as për shkak të mungesave, as për shkak të ndonjë shkeljeje të mundshme në vendin e punës, por për fjalimin e mbajtur në shpalljen e sindikatës sonë, më 17 nëntor 2019, dhe angazhimin sindikal.”– thuhet në njoftimin e sindikatës.

Minatorët e Bulqizës akuzojnë kompaninë e Samir Manes se po ushtron presion ndaj punonjësve të saj dhe duke i ndëshkuar për shkak të pjesëmarrjes në protesta dhe anëtarësimit në sindikatën e re të krijuar.

“Albchome sh.p.k po vazhdon me vendosmëri rrugën që ka zgjedhur, atë të paligjshmërisë, duke ndëshkuar minatorët për shkak të organizimit sindikal. Për të gjitha këto raste ne nuk jemi duke qëndruar duarkryq, por po ndërmarrim të gjitha hapat e mundshëm për t’i kundërshtuar. Jemi duke i ndjekur në rrugë ligjore, po i denoncojmë në institucionet përkatëse brenda dhe jashtë vendit, si dhe do të përdorim të gjitha mënyrat që na lejon organizimi sindikal, deri te greva.

Albchrome duhet të tërhiqet nga paligjshmëria sa nuk është vonë!”- thuhet më tej në njoftim.

Shkarkimi i Gjimit vjen një ditë pas një aktiviteti në Tiranë të organizuar nga Organizata Politike për solidarizim me minatorët në Bulqizë. Disa aktivistë mbushën muret e kryeqytetit me parrulla kundër Samir Manes./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *