Vendosni fjalën kyçe....

Kuba emëron kryeministrin e parë që 1976-ta


Zgjidhet për herë të parë që pas vitit 1976 një kryeministër në Kubë. BBC shkruan se presidenti Miguel Díaz-Canel ka emëruar si kryeministrin e parë të vendit në më shumë se 40 vjet – ministrin e Turizmit, Manuel Marrero Cruz.

Posti i kryeministrit u hoq nga skena politike në Kubë në vitin 1976 nga lideri i atëhershëm revolucionar, Fidel Castro.

Por u rivendos nën rregullat e kushtetutës së re në ishullin e drejtuar nga komunistët, që u miratua në fillim të këtij viti.

Marrero, 56 vjeç, do të marrë përsipër disa nga përgjegjësitë që aktualisht i bien presidentit.

“Kreu i qeverisë do të jetë dora e djathtë administrative e presidentit të republikës”- shkruan gazeta online e drejtuar nga shteti, “Cubadebate”.

Sidoqoftë, kritikët thonë se pavarësisht këtij ndryshimi Partia Komuniste Kubane dhe ushtria mbeten dy institucionet e vetme të vërteta vendimmarrëse në ishull.

Si u emërua kryeministri i ri?

Manerro u votua unanimisht nga deputetët në Asamblenë Kombëtare të shtunën.

Gazeta shtetërore Granma e përshkruan Marreron si një politikan që ka dalë “nga baza” e industrisë së turizmit, një nga burimet kryesore të këmbimit të huaj të Kubës.

Në vitin 2000 ai u bë president i grupit të turizmit të drejtuar nga ushtria Gaviota, hotelet e të cilit janë subjekt i sanksioneve amerikane.

Marrero u emërua ministër i turizmit në vitin 2004 nga Fidel Castro dhe që prej atëherë ka mbikëqyrur turizmin në ishull. Është e paqartë nëse tani ai do të mbetet sërish kreu i ministrisë.

Fidel Castro drejtoi një revolucion komunist që rrëzoi qeverinë Kubane në vitin 1959, pas së cilës ai e shpalli veten kryeministër.

Ai e mbajti këtë titull deri në vitin 1976, kur e shfuqizoi dhe u bë kreu i Partisë Komuniste dhe kryetar i këshillit të shtetit dhe këshillit të ministrave.

Me shëndetin e tij drejt përkeqësimit, Kastro ia dorëzoi pushtetin vëllait të tij, Raúl, në vitin 2006. Ai ndërroi jetë në vitin 2016.

Raúl Castro u largua nga presidenca në vitin 2018, por mbetet udhëheqësi i Partisë Komuniste të Kubës dhe figura kryesore në politikën e saj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *