Pak ditë më parë, ambientalisti Sazan Guri u përball me një situatë të sikletshme në transmetim live me një aktiviste të Organizatës Politike, Gresa Hasa.
Pasi e akuzoi për seksizëm ajo braktisi emisionin, por Guri mbrëmë i ka kushtuar një ndjesë publike në rrjetet sociale.
Guri shkruan se nuk e ka ofenduar Hasën me qëllim dhe madje kërkon një takim me të në mënyrë që t’i kërkojë ndjesë përballë. Ai thotë se aktivistja e re është diell që lind, ndërsa ai vetë është në perëndim.
Vetëm pak orë pas kësaj ndjese publike, Guri dha detaje të tjera lidhur me debatin që pati me aktivisten. I ftuar në ‘Ora News’, ambientalisti tha se gjithçka ishte një keqkuptim.
“Televizioni është fraksione sekondash, është më i shkurtër se mendimi.Unë mendova që “e bukur” u barazoka me seksizëm. Bukuria i takon kryesisht grave. Kur e pashë se ajo që e mori ndryshe nuk fola më. Doja ta takoja, por ajo iku. I kërkova ndjesë, ishte një falje e sinqertë. Pata reagime se pse e bëra statusin, por jam krenar. Do ti thosha që unë jam prindi jot, profesori jot. Ishte një keqkonceptim. Djali që erdhi nga Norvegjia më tërhoqi vëmendjen. Edhe gruaja. Është aktiviste, diell që lind. Është model, është aktiviste.”– tha Guri.
Ai bëri për herë të dytë thirrje për një takim me Hasën: “Do të doja të kem një takim patjetër me të. E kam shprehur në status. Jam gati, sy më sy.”