Një gjykatë në Arabinë Saudite ka dënuar pesë persona me vdekje për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi vitin e kaluar.
Khashoggi i cili ishte një ndër kritikët më të fortë të qeverisë saudite, u vra vitin e kaluar brenda konsullatës së mbretërisë në qytetin turk të Stambollit nga një ekip agjentësh.
Siç shkruan BBC, Prokurori publik saudit tha se ky ishte rezultat i një “operacioni mashtrues” që çoi në gjyq 11 individë të pa identifikuar. Pesë prej të akuzuarve janë dënuar me vdekje nga gjykata.
Një ekspert i Kombeve të Bashkuara ka arritur në përfundimin se ishte një “ekzekutim jashtëgjyqësor”.
Raportuesi special Agnes Callamard bëri thirrje që Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman të hetohet për vrasjen.