Prokuroria e Vlorës ka reaguar për ngjarjen e ditës së shtunë ku makinës së prokurorit Albert Kuliçi iu vu tritol.
Në reagimin e saj Prokuroria e Vlorës ku ushtronte detyrën edhe Kuliçi e konsideron sulmin si akt kriminal dhe për shkak të pozicionit të punës.
Gjithashtu në deklaratën e saj, sulme ndaj personave të drejtësisë intimidojnë luftën kundër krimit.
Reagimi i Prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, pas ngjarjes së rëndë dhe kriminale, të ndodhur rreth orës 03.00 të mëngjesit të datës 21.12.2019, si pasojë e shpërthimit të një sasie lënde eksplozive, vendosur në mjetin me targa AA583OO, në pronësi të prokurorit, z. Albert Kuliçi, me detyrë zv/ Drejtues i kësaj prokurorie, si dhe pas analizimit të detajeve të ngjarjes, e konsideron këtë ngjarje si një sulm të drejtuar ndaj këtij prokurori për shkak të funksionit dhe detyrës së tij.
Ky është një akt kriminal, i papranueshëm me sistemin tonë të drejtësisë, parimet e Shtetit të së Drejtës, vlerat dhe parimet shoqërore, që synon të cënojë detyrën e tij si prokuror dhe gjithashtu të intimidojë në luftën kundër krimit.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, dënon rëndë akte të tilla kriminale, të cilat në thelb dëmtojnë rendin dhe sigurinë juridike. Duke mbështetur kolegun tonë në vijim, trupa e Prokurorëve të kësaj prokurorie, në respektim të ligjit dhe parimeve Kushtetuese, do të jetë gjithmonë e pa ndikuar në luftën pa kompromis kundër krimit.
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.