Mjaft diskutime ka patur ditët e fundit lidhur me Festivalin e 58-të të këngës në RTSH ku konkurrentja që u zgjodh për të përfaqësuar Shqipërinë në ‘Eurovision’ është Arilena Ara.
Një nga anëtarët shqiptarë të jurisë, Rita Petro, ka reaguar lidhur me kritikat për mënyrën se si janë vlerësuar këngëtarët me pikë nga juria.
Ndërkohë që anëtarët e huaj të jurisë i kanë dhënë nga 18 pikë Elvana Gjatës, dy anëtaret shqiptare Rita Petro dhe Mikaela Minga e kanë vlerësuar atë me 8 dhe 2 pikë.
Petro tha për emisionin “Wake Up” në Top Channel, se votimi ishte teknikisht i pastër e cila shtoi se se në asnjë moment anëtarët nuk komunikuan me njëri-tjetrin gjatë dhe pas festivalit.
“Gjithë kohës që kemi qenë në koncert bisedat ishin te kënaqësia e spektaktlit, duke dëgjuar këngët harroja që isha pjesë e jurisë, edhe anëtarët e tjerë merrnin kënaqësinë e këngëve. Nuk është diskutuar se cilat janë preferencat e secilit prej nesh, këtë e them me kompetencë. Nuk u bë llogari. Emri i Elvanës as nuk është zënë ndonjëherë as nga anëtarët e jurisë; edhe kur na mblodhën në dhomë (për të votuar) nuk është zënë në gojë as emri i Elvanës as i asnjërit këngëtar”, rrëfeu Petro.
Më tej ajo kërkoi një reagim institucional lidhur me akuzat se Elvana Gjatës iu pengua rruga për në ‘Eurovision’ pikërisht nga juria shqiptare.
“Nuk ishim ne që ju thamë na merrni në juri, na thirrën e pranuam u ndjemë të nderuar, duhet një reagim publik institucional, i organizatorëve, çdo gjë është bërë në rregull. Na vjen keq që na ndanë juria shqiptare e huaj, të bësh ndarjen juria shqiptare nuk janë të zotët, të korruptuar e kam ndjerë veten të fyer. Deri për Eurovizion ka kohë që të analizohen faktet, të hetohet, të ngrihet një juri tjetër.”- thotë Petro.
Në fakt deri para se të shpallej emri i fituesit, emri i Elvana Gjatës përflitej si ajo që do zgjidhej dhe jo për shkak të vokalit apo këngës, por për shkak se kështu kishte bërë pazaret me organizatorët e festivalit. Në rrjet gëlonin komentet kundra Elvanës, ndërkohë tani që fituese u shpall një tjetër, në mënyrë paradoksale të gjithë hidhen për t’i dalë në krah asaj, madje edhe Alketa Vejsiu e cila prezantoi shfaqjen. Askush nuk do të donte të ishte në vendin e fitueses, Arilena Ara në këto momente.