Vendosni fjalën kyçe....

Shkarkimi i 4 minatorëve, reagon “Albchrome” – Shkelën në mënyrë të përsëritur kontratën e punës


Kompania Albchrome ka shpërndarë një reagim zyrtar lidhur me ato që i quan spekulime,  për largimin nga puna të 4 minatorëve.

Sipas kompanisë, 4 minatorët e kompanisë janë larguar për shkelje të vazhdueshme të kontratës së punës dhe rregullores së brendshme.

‘Duke marrë shkas nga disa spekulime që janë bërë ditët e fundit lidhur me largimin nga puna të 4 minatorëve nga ana e kompanisë AlbChrome shpk, dëshirojmë të sqarojmë mediat dhe opinionin publik si më poshtë:

Më 16 Dhjetor 2019, kompania AlbChrome është njohur zyrtarisht për krijimin e një sindikate të re, atë të Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. 21 minatorë nga 652 minatorët e AlbChrome na rezulton se janë pjesë e kësaj sindikate. 4 prej tyre pasi janë paralajmëruar disa herë për shkeljet e vazhdueshme të kontratës së punës dhe rregullores së brendshme të kompanisë, janë shkarkuar nga puna për vazhdimin e përsëritur të shkeljeve në fjalë, si mungesa të pajustifikuara në vendin e punës.’ – thuhet në reagimin e kompanisë.

Më tej, thuhet se kompania respekton të drejtën ligjore të punonjësve për t’u grupuar në sindikata, ndërsa thekson se pas largimit të 4 punëtorëve në fjalë, janë punësuar menjëherë 4 minatorë të tjerë në vendet e tyre.

‘AlbChrome dëshiron të sqarojë se respekton të drejtën ligjore të çdo punonjësi për t’u grupuar në sindikata të tilla. Nëse kompania nuk do ta respektonte një të drejtë të tillë, reagimi i saj nuk do të kishte prekur vetëm 4 nga anëtarët e sindikatës së mësipërme, por edhe minatorë të tjerë të AlbChrome, të cilët sindikata në fjalë pretendon se janë anëtarë të saj. Nga ana tjetër, vërtet janë larguar 4 minatorë nga puna për shkeljet e përmendura, por janë punësuar menjëhere 4 minatorë të tjerë në vendet e tyre.’ – vijon deklarata.

Kompania bën me dije se i trajton punonjësit e saj në mënyrë dinjitoze dhe se ka punësuar 100 punonjës të rinj gjatë vitit të fundit, ndërsa ka kryer investime që premtojnë hapjen e vendeve të tjera të punës.

‘Dëshirojmë të sqarojmë gjithashtu se AlbChrome ka në fuqi një kontratë kolektive me Federatën e Sindikatave të Industrisë, anëtare e Konfederatës të Sindikatave të Shqipërisë. AlbChrome i trajton punëtorët e saj me normë dhe u jep pagën e 13-të çdo vit. Ky trajtim, është më dinjitozi i mundshëm në krahasim me secilën prej 36 kompanive të tjera të shfrytëzimit të kromit në vend dhe ftojmë këdo që ta verifikojë nga pranë këtë. Gjithashtu, nëse do të kishte patur ndonjë tendencë ndaj minatorëve apo sindikatave, AlbChrome nuk do të kishte punësuar 100 punonjës të rinj vetëm gjatë vitit të fundit dhe nuk do të hapte perspektivën për 200 punësime të reja në vijim falë investimeve të kryera vitin e fundit, të cilat kanë rritur ndjeshëm sigurinë për minatorët.’ – vijon deklarata.

Në fund të reagimit të kompanisë thuhet se pas krijimit të sindikatës së tyre qëndron një lëvizje politike që një ngjarje të zakonshme e ka paraqitur si çështje të rëndë edhe për minatorët e tjerë.

Kompania deklaron se sipas kontratës, nëse një punonjës braktis vendin e punës dhe nuk njofton arsyen e mungesës, kjo konsiderohet si zgjidhje e njëanshme e kontratës nga punonjësi. Ndërsa theksohet gjithashtu se largimi i punonjësve është bërë për shkeljet e ndodhura para se ata të vinin në dijeni kompaninë për sindikatën.

‘Sakaq, vërejmë me keqardhje se prapa 4 minatorëve të larguar nga puna dhe krijimit të sindikatës së tyre qëndron një lëvizje politike, e cila ka qenë amplifikatori që një ngjarje të zakonshme dhe të brendshme të një kompanie private, ta paraqesë si një çështje të rëndë dhe me pasoja edhe për minatorë të tjerë. Sipas Kodit të Punës, kur punonjësi braktis vendin e punës dhe nuk njofton brenda 7 ditëve arsyen e mungesës, konsiderohet si zgjidhje e njëanshme e kontratës nga punonjësi (madje sipas kesaj dispozite, nenit 156, punëdhënësi gëzon të drejtën e dëmshperblimit). Gjithashtu në kontratën individuale të punës, palët kanë parashikuar që kur punonjësi bën më shumë se 7 mungesa pa arsye në një vit, punedhënësi gëzon të drejtën e zgjidhjes se njëanshme të kontratës së punës. Kjo ka ndodhur edhe në rastet tona, megjithatë duam të theksojmë se largimi i tyre është bërë për shkelje të ndodhura përpara se ata ta vinin në dijeni kompaninë për krijimin e sindikatës. Ftojmë të gjitha mediat që të vijnë të investigojnë nga prane ngjarjen, për të parë se si qëndron e vërteta.’ – mbyllet reagimi i kompanisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *