Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu u bën apel qytetarëve të dërgojnë fëmijët në qendrat shëndetësore, ndërsa qarkullimi i virusit të gripit është në rritje.
Manastirliu siguroi se shërbimi do të jetë 24 orë në tre qendra shëndetësore në Tiranë, ndërsa këshilloi prindërit që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në këto qendra pa patur nevojë që të shkohet në spital për urgjencat pediatrike.
“Virusi i gripit, sipas sistemit të survejancës ka një intensitet mesatar, me tendencë rritje, ndaj ne i jemi përgjigjur kësaj situate me garantimin e shërbimit shëndetësor 24 orësh në 7 ditë të javës në qendrat shëndetësore të Tiranës, ku edhe fluksi është më i lartë. Janë 3 qendra shëndetësore, ajo nr. 10 që do të mbulojë zonën e ish-Oxhakut, qendra shëndetësore nr. 8 në zonën e ish-bllokut, qendra nr. 7 në Laprakë, të cilat ofrojnë shërbim shëndetësor për fëmijët në moshën pediatrike edhe gjatë natës”, u shpreh Ministrja Manastirliu gjatë inspektimit në qendrën nr. 10 në Tiranë.
Sipas sistemit ALERT të survejancës, në Shqipëri po qarkullon virusi i tipit A, nëntipi A/H1 dhe qarkullimi i virusit është me intensitet mesatar, me tendencë rritje, një situatë e zakonshme dhe e pritshme për stinën.
Janë rreth 11 mijë raste në javë me infeksione respiratorë, që sipas Ministrisë së Shëndetësisë kjo situatë është normale.
Sipas ministres, qytetarët e Tiranës mund të kërkojnë ndihmë në qendrën shëndetësore nr. 10 në zonën e Oxhakut, qendrën nr. 8 në zonën e ish-bllokut, qendrën nr. 7 në Laprakë dhe së shpejti në qendrën e Kombinatit ku do të ofrohet shërbimi i plotë për fëmijët edhe gjatë natës.